Gjermania redukton ngrohjen në dimër Masat e reja të miratuara nga qeveria pritet të zbatohen nga 1 shtatori
Ndërtesat publike të Gjermanisë do të jenë më të ftohta dhe rrugët më të errëta këtë dimër për shkak të masave të kursimit të energjisë të miratuara nga qeveria, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur rezervat e gazit dhe kompensuar furnizimet e pakta nga Rusia.
Gjigandi rus i gazit Gazprom ka ulur flukset e gazit në Gjermani përmes tubacionit Nord Stream 1 në 20% të kapacitetit, duke përmendur çështje teknike. Berlini e ka quajtur lëvizjen të motivuar politikisht, duke pasur parasysh sanksionet e Europës ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Me këto rregulla, qeveria gjermane shpreson të reduktojë përdorimin e gazit me rreth 2%. Ndërkaq, për dy vitet e ardhshëm në total pritet një kursim në vlerë prej 10,8 miliardë euro.
Nga 1 shtatori, ndërtesat publike, me përjashtim të institucioneve sociale, si spitalet, do të ngrohen në maksimum me 19 gradë Celsius, ndërsa ngrohja mund të fiket tërësisht në korridore dhe holle. Ndërtesat dhe monumentet nuk do të ndriçohen më për qëllime thjesht estetike dhe bizneseve mund t’u ndalohet të mbajnë vitrinat e tyre të ndriçuara gjatë natës. Gjithashtu, është planifikuar ndalimi i ngrohjes së pishinave private.
Qeveria miratoi edhe ligjin për t’i dhënë përparësi transportit nëpërmjet rrjeteve hekurudhore të vendit. Kjo vjen pas javëve të niveleve kritike të ulëta të ujit në lumin Ren, duke ndërprerë transportin.
Krahas masave të reja të kursimit të energjisë, Gjermania po punon gjithashtu për të ngritur dy terminale të gazit natyror të lëngshëm në bregun e Detit të Veriut për të ndihmuar në shtimin e depozitimit për muajt e dimrit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.