“Google ka krijuar monopol të paligjshëm” – Gjykata amerikane jep vendimin për padinë ndaj Kompanisë
Kristi Ceta/SCAN
Google ka shkelur ligjin e konkurrencës, duke shpenzuar miliarda dollarë për të krijuar një monopol të paligjshëm dhe për t’u bërë motori i kërkimit kryesor në botë, sipas një gjykate amerikane. Kjo është fitorja e parë e madhe për autoritetet federale ndaj zotërimit të tregut të Big Tech.
Vendimi hap rrugën për një gjyq të dytë për të përcaktuar korrigjimet e mundshme, ndoshta duke përfshirë një ndarje të kompanisë mëmë të Google, Alphabet, që do të ndryshonte peizazhin e botës së reklamave në internet që Google ka dominuar prej vitesh.
Kjo është gjithashtu një ‘dritë jeshile’ për zbatuesit ‘agresivë’ të antitrustit amerikan që ndjekin Big Tech, një sektor që ka qenë nën kritika nga i gjithë spektri politik. Gjykata arriti në përfundimin se “Google është një monopolist dhe ka vepruar si i tillë për të ruajtur monopolin e vet”. Google kontrollon rreth 90% të tregut të kërkimit në internet dhe 95% në telefonat inteligjentë.
Procesi mund të jetë ende i gjatë, me apelime të mundshme. Reklamat e Google përbënin 77% të shitjeve totale të Alphabet në 2023.
Alphabet tha se ka në plan të apelojë vendimin. “Ky vendim pranon se Google ofron motorin më të mirë të kërkimit, por arrin në përfundimin se ne nuk duhet ta bëjmë atë lehtësisht të disponueshëm,” tha Google në një deklaratë.
Prokuroria e Përgjithshëm e SHBA e quajti vendimin “një fitore historike për popullin amerikan”, duke shtuar se “asnjë kompani nuk është mbi ligjin”.
Ky është vendimi i parë i madh në një seri çështjesh që kanë të bëjnë me ‘monopolet’ e Big Tech. Në katër vitet e fundit, rregullatorët federalë antitrust kanë paditur gjithashtu Meta Platforms, Amazon.com dhe Apple, duke pretenduar se kompanitë kanë krijuar në mënyrë të paligjshme monopole. Të gjitha këto raste filluan nën administrimin e ish-presidentit Donald Trump.
Kur u depozitua në vitin 2020, çështja e Google ishte rasti i parë në vitet e fundit që qeveria e SHBA akuzoi një korporatë të madhe për një monopol të paligjshëm. Në vitin 2004 Microsoft bëri marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë mbi pretendimet se imponoi shfletuesin e vet të internetit, Internet Explorer, tek përdoruesit e Windows.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.