Greqi, papunësia në nivelin më të ulët në 15 vjet – Norma ra nën 10% për herë të parë nga viti 2009
Kristi Ceta/SCAN
Papunësia në Greqi është rikthyer në një normë njëshifrore për herë të parë në 15 vjet. Autoriteti i Statistikave (ELSTAT) regjistroi një normë papunësie prej 9.6% në qershor 2024, krahasuar me 11.4% në qershor 2023.
Edhe pse do të duhet të presim të dhënat përfundimtare sezonale për të verifikuar statistikisht klimën pozitive në të cilën duket se po lëviz tregu grek i punës, të dhënat e ELSTAT tregojnë jo vetëm ulje të papunësisë, por edhe rritje të punësimit. Duhet theksuar se në tetor 2023, ELSTAT fillimisht kishte vërejtur një rënie të papunësisë nën kufirin psikologjik prej 10%, por rezultatet përfundimtare sezonale përmbysën parashikimin. Ndaj, në bazë të të dhënave zyrtare, hera e fundit që papunësia ishte nën 10%, konkretisht në 9.3%, ishte në shtator 2009.
Shifrat tregojnë një rënie të ndjeshme të normës së papunësisë me 1,8 pikë përqindjeje krahasuar me qershorin 2023 dhe 0,7 pikë nga 10,3% në muajin paraardhës (maj).
Ndërkohë që numri i të papunëve është në rënie, ai i të punësuarve po rritet. Një rënie është vërejtur edhe tek personat e moshës deri në 75 vjeç që nuk kërkojnë punë, por me ritme më të ngadalta se muajt e kaluar, gjë që rezultoi në rritje të papunësisë, pasi shumë kaluan nga popullsia joaktive në popullsinë e papunë.
Sipas ELSTAT, numri i të papunëve ra në 456663 persona në qershor, duke shënuar një rënie prej 85,865 krahasuar me qershorin 2023 (-15,8%) dhe 30,629 krahasuar me majin 2024 (-6,3%).
Në të kundërt, të punësuarit arritën në 4,293,899 persona, duke shënuar një rritje prej 79,229 krahasuar me qershorin 2023 (+1,9%) dhe 41,192 krahasuar me majin 2024 (+1%). Për sa u përket personave nën moshën 75 vjeç që nuk përfshihen në fuqinë punëtore, pra ata që nuk punojnë por nuk kërkojnë punë, ata arritën në 3,027,673, duke shënuar një rënie prej 16,999 krahasuar me qershorin e 2023 (-0,6%) dhe 12,838 krahasuar me majin 2024 (-0,4%). Megjithatë, numri i të punësuarve është ende më i ulët (-300,000) krahasuar me vitin 2009.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.