Greqi, turizmi “mbush” llogaritë bankare – Depozitat e individëve u rritën me 1 miliard euro në gusht
Kristi Ceta/SCAN
Llogaritë bankare të familjeve greke janë rritur me 1,035 miliardë euro në muajin gusht, sipas të dhënave të Bankës Qendrore për financimin dhe depozitat. Kjo rritje reflekton fluksin e parave nga turizmi, që duket se e kanë gjetur shpejt rrugën për në bankë.
Kështu, depozitat e individëve arritën 146.8 miliardë euro, me 2.6% më shumë krahasuar me gushtin 2023. Pjesa më e madhe e depozitave të individëve, 107.8 miliardë euro, që është 73% e totalit, janë në llogaritë njëditore, të karakterizuara nga interesa shumë të ulëta, rreth 0.03%.
Rritje më të vogël, në vlerën 366 milionë euro, kanë shënuar edhe depozitat e bizneseve në muajin gusht, me ndryshimin vjetor të vlerësuar në 5.4%. Në total, depozitat e sektorit privat të ekonomisë arritën në 195.4 miliardë euro, me rritjen mujore 1.4 miliardë euro. Në korrik 2024 është shënuar një rënie prej 607 milionë eurosh në depozitat e sektorit privat, ndërsa gushtin e kaluar rritja është kufizuar në vetëm 190 milionë euro, pra afërsisht 10% e këtij viti.
Sa i përket financimit të ekonomisë greke nga bankat, vihet re një stagnacion relativ, ku institucionet financiare i kanë shtuar vetëm 102 milionë euro ekonomisë private. Balanca e kredisë për bizneset dhe të vetëpunësuarit është rritur me 149 milionë euro, ndërsa balanca e individëve është ulur me rreth 48 milionë euro.
Rritje e lehtë prej 18 milionë eurosh është vërejtur te kredia konsumatore për individë, që ka arritur në 8.9 miliardë euro. Megjithatë, tregu i kredive për banesa mbetet anemik, ku pjesa tjetër e tyre u zvogëlua me 64 milionë euro në gusht, duke shkuar në 27.3 miliardë euro.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.