Greqia, çmim “tavan” për energjinë – Athina duhet të marrë masa për zbutjen e impaktit të rritjes së çmimeve
Greqia deklaroi se komisioni europian ka miratuar skemën për vendosjen e një tavani për cmimin e energjisë elektrike dhe zbutjen e impaktit të rritjes së cmimeve sidomos për familjet dhe bizneset.
Pjesa më e madhe e prodhimit të energjisë në vend lidhet me gazin, dhe për këtë arsye Athina prej kohësh po subvencionon faturat e energjisë elektrike dhe të gazit si dhe ka ofruar një grant për grupet e cënueshme me një kosto totale prej 4 miliardë euro që nga shtatori.
Po rritja e vazhdueshme e cmimit të gazit dhe energjisë elektrike si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në 24 shkurt të këtij viti, po përball konsumatorët grekë me fatura gjithnjë e më të fryra. Kjo situatë ka detyruar Athinën të vendosë një tavan për cmimin e energjisë elektrike duke filluar që nga sezoni i verës.
Ministri grek i energjitikës Kostas Skrekas deklaroi se ky është një hap shumë i rëndësishëm sidomos miratimi i mekanizmit të ri që do të aktivizohet në tregun e energjitikës që nga muaji korrik.
Skema përfshin një kufi në pagesat për prodhuesit e energjisë elektrike për të pasqyruar kostot e tyre aktuale të prodhimit, pa shkelur rregullat e tregut të përbashkët të energjisë të BE-së, për të ndihmuar në shkëputjen e çmimeve në rritje të gazit nga çmimet e energjisë elektrike. Greqia do të njoftojë javën e ardhshme Komisionin Evropian për projektligjin që përshkruan mekanizmin e ri. Qeveria greke deklaroi se do të përdorë të ardhurat nga lejet e emetimit të karbonit për të financuar skemën.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.