Gruri, çfarë dokumentesh do t’u pranohen fermerëve? – AZHBR publikon listën, zgjerohen mundësitë e përfitimit
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka zgjeruar hapsirën e dokumentacionit që mund të dorëzojnë fermerët për të përfituar subvencionin prej 30 mijë lekë për hectare, për mbjelljen e grurit. Reagimi vjen nga shqetësimi i ngritur në media, një problematikë që është ndjekur edhe nga SCAN TV për kriteret penalizuese të skemës që lidhen me dokumentacionin e pronësisë.
Kështu, AZHBR sqaron se “do të pranohet çdo kontratë qiraje apo çdo dokument i ligjshëm që nënshkruhet ndërmjet palëve, duke përdorur formularin 12 i cili nënshkruhet ndërmjet palëve dhe siglohet në Njësinë Adminstrative. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, sqaron se janë të pranueshme deklarata noteriale të lëshuara nga qiradhënësi i cili përmend tokat bujqësore sipas dokumenteve të pronësisë që ia lëshon dikujt tjetër.
Nëse mungon harta treguese për AMTP dhe Njësia Vendore nuk e lëshon një kopje tjetër, fermeri mund dhe duhet të informohet që formulari 4 që plotësohet më të dhënat e pasurive bujqësore nga ky titull pronësisë, të firmoset nga punonjësi i ekstensionit bujqësor. Nëse mungon AMTP, apo ka humbur, Njësia Administrative lëshon shkresë zyrtare e cila informon se kush fermer është i pajisur me titullin e pronësisë AMTP me të dhënat identike si AMTP që mund të ketë humbur.
Sipas AZHBR afati për dorëzimin e dokumentacionit është 15 ditë nga njoftimi e-Albania/njoftimi zyrtar nga Agropika. Sipas të dhënave zyrtare nga AZHBR, në total kanë aplikuar me vetëdeklarim dhe zero dokumente nga e-albania 7470 fermerë dhe kërkesa për mbledhje të reja të grurit rezulton dero në 30 mijë hektare, apo sa dyfishi i fondit të vënë në dispozicion.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.