Gushti i aksidenteve, shtimi i trafikut i bën rrugët më të rrezikshme – Krahasuar me 2023 pati 48% më shumë ‘përplasje’, shumica të premteve
Shtimi i trafikut në rrugët tona përkthehet menjëherë në më shumë aksidente. Kjo jo për arsye të rrugëve por të drejtuesve të mjeteve. Këtë e konfirmon fakti se në gusht ku kthehen emigrantët dhe të premteve ku njerëzit lëvizin për fundjava fluksi i përplasjeve në rrugë është më i lartë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në Gusht 2024 kanë ndodhur 173 aksidente rrugore. Në krahasim me gushtin e një viti më parë, kur u shënuan 117 aksidente, numri i tyre u rrit me 48%.
Krahas aksidenteve është shtuar dhe numri i të dëmtuarve në to. Në gusht 2024 kishte gjithsej 252 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur), me një rritje prej 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (INSTAT njofton se të dhënat e publikuara janë paraprake dhe subjekt përditësimi). Për 8 mujorin janë shënuar gjithsej 1086 aksidente, me rritje 41% me bazë vjetore.
Aksidentet rrugore, në 91,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 25,4 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Në muajin Gusht 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Premte me 22,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Martë, me 8,1 %.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.