Hapen aplikimet për kredi me 0% interes për punonjësit e administratës – Nga vërtetimet e ASHK te marrëveshjet noteriale, cilat janë dokumentet që duhen?
Diamila Leka/ SCAN
Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka njoftuar hapjen e aplikimeve për trajtimin me kredi të lehtësuar, 0% interes, për blerjen e banesës për 300 punonjës të Administratës Publike.
Sipas njoftimit, aplikantët duhet të jenë të punësuar në institucionet e administratës publike, duke nisur nga ministria e Brendshme, e Mbrjotjes, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inivacionit.
Por cilat janë dokumentacionet e nevojshme që duhen për të kryer aplikimet?
Dokumenti kryesor është kopja e certifikatës së pronësisë për banesën që ka në pronësi nën normat e strehimit, së bashku me rivlerësimin e banesës, nëse ka pasuri të paluajshme në pronësi.
Një nga dokumentet kryesore është dhe vërtetimi negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që në që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Si dhe një marrëveshje noteriale për bashkëjetuesin apo bashkëjetuesen nëse kanë.
Gjithashtu për aplikantët e punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do duhet një vërtetim që punonjësi është i punësuar me kohëzgjatje të pacaktuar në institucionet publike të arsimit parauniversitar. Afati i fundit i aplikimit do të jetë data 14 gusht 2024 në orën 9 paradite.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.