Hiqen vizat për Kosovën – Parlamenti europian miraton liberalizimin
Parlamenti Europian miratoi tekstin për të cilin kishin rënë dakord vendet anëtare të Bashkimit Europian, që dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin më në fund pa viza në zonën Schengen. Pas votimit në Parlament, hapat e mbetur për këtë proces përfshijnë fillimisht nënshkrimin e aktit ligjor nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së më 19 prill. Më pas vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi nga 1 janari i 2024-ës.
Kosova kishte mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë që nuk përfitonte nga liberalizimi i vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh, në një proces të nisur 12 vite më parë. Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh europiane. Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera. Në Parlamentin Europian nuk pati asnjë problem gjatë votimit, pasi një pjesë e madhe e deputetëve e ka mbështetur prej kohësh liberalizimin e vizave për Kosovën. Në fakt, Parlamenti Europian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti e ka mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht ka kritikuar këshillin e BE-së dhe komisionin Europian për vonesa të panevojshme në këtë proces.
Akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet në nënshkruhet nga presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, dhe ministrja për Europën e Suedisë, Jessika Roswall, vendi i së cilës kryeson aktualisht Këshillin e BE-së. Në ceremoninë e nënshkrimit janë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.