Hyjnë në fuqi rregullat për tregjet online në BE – Gjashtë “Big Tech” duhet zbatojnë Aktin e Tregjeve Digjitale
Në vendet e Bashkimit Europian ka hyrë në fuqi Akti i Tregjeve Digjitale (DMA), një rregullore historike që synon të sigurojë konkurrencë më të madhe në tregjet digjitale. Tashmë Apple, Alphabet, Meta, Amazon, Microsoft dhe ByteDance duhet të respektojnë të gjitha detyrimet e përcaktuara nga ky Akt.
Gjashtë kompanitë u caktuan nga Komisioni Evropian në shtator të vitit të kaluar si subjekte që veprojnë si një pikë aksesi midis përdoruesve të biznesit dhe konsumatorëve dhe gëzojnë një pozicion për të krijuar potencialisht shtrembërime në ekonominë digjitale.
Kompanitë, që deri më tani kishin testuar masat për të qenë në përputhje me legjislacionin evropian, do të duhet të demonstrojnë se janë në të vërtetë në përputhje me to duke përshkruar masat e marra në raportet e pajtueshmërisë që tani do të analizohen nga ekzekutivi evropian.
Kompanitë duhet të paraqesin një përshkrim të verifikuar në mënyrë të pavarur të të gjitha teknikave të përdorura për të profilizuar konsumatorët, së bashku me një version jo-konfidencial të raportit.
Komisioni Europian më pas do të duhet të vlerësojë nëse masat e zbatuara janë efektive, duke e bazuar gjithashtu analizën e tij në kontributet e palëve të interesuara. Komisioni nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime formale detyruese, duke përdorur të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të zbatuar plotësisht legjislacionin për tregjet digjitale.
Sipas zv/presidentes së Komisionit, Margrethe Vestager, legjislacioni “do të ndryshojë thellësisht mënyrën se si funksionojnë tregjet online dhe do të hapë tregun digjital në dobi të të gjithë operatorëve dhe përdoruesve evropianë”.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.