“IA” në mbrojtje të pemëve të ullirit – Teknologjia e re identifikon dëmtuesit dhe sëmundjet
Kristi Ceta/SCAN
Shëndeti i pemëve të ullirit është një element themelor në fushën e prodhimit bujqësor. Dëmtuesit si miza e ullirit dhe sëmundjet që sulmojnë bimët mund të shkaktojnë humbje të mëdha të prodhimit, si dhe të degradojnë produktin përfundimtar, vajin e ullirit.
Kështu, një grup spanjollësh, i cili përbëhet nga shkencëtarë, prodhues, teknologë, konsulentë bujqësorë, me ndihmën e inteligjencës artificiale kanë zhvilluar një mjet me të cilin do të parashikojnë rreziqet e mundshme që mund të prekin ullishtën.
Ky grup operacional do të zhvillojë një sistem të automatizuar, të lehtë në përdorim, të besueshëm dhe me kosto të ulët, që do të zbulojë dhe identifikojë dëmtuesit.
Sistemi, i bazuar në vizionin artificial, do të zbulojë praninë dhe lëvizjen e insekteve, duke ekzaminuar edhe varietetet e klimës. Në të njëjtën kohë, do të kombinojë kurthe bioteknologjike me një metodë inteligjente monitorimi. Ai do të ketë komponentë që janë tashmë të disponueshëm në treg, si sensorë, kamera apo mikroprocesorë, për të kryer një analizë të plotë.
Zgjidhja e paraqitur nga shkencëtarët aspiron të ofrojë një sërë mjetesh për të ndihmuar agronomët dhe fermerët të kursejnë para dhe të ulin kostot.
Për këtë arsye, ata procedojnë me shqyrtimin e kujdesshëm të të gjitha metodave të mbrojtjes dhe integrimin e masave, të cilat nga njëra anë do të parandalojnë zhvillimin e organizmave të dëmshëm dhe nga ana tjetër do të reduktojnë përdorimin e pesticideve.
Ky mjet do të krijojë një rrjet nyjesh të largëta, të cilat do të vendosen në të gjithë zonën e prodhimit, duke përfshirë sensorë me infra të kuqe, sensorë temperature dhe lagështie, si dhe kamera që do të monitorojnë bimësinë.
Përveç kësaj, softueri do t’i përpunojë të dhënat për të krijuar një trajektore të mundshme të secilit “armik” entomologjik dhe dëmin financiar që mund të shkaktojë një infektim i mundshëm.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.