“IA” që mund të dëgjojë nëse jeni i sëmurë – HeAR, i trajnuar me 300 mln pjesë audio për të dalluar sëmundjet
Kristi Ceta/ SCAN
Një model i ri i inteligjencës artificiale, që po zhvillohet nga Google, mund ta bëjë diagnostikimin e tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes aq të lehtë sa regjistrimi i një note zanore.
Google po trajnon një nga modelet themelore të inteligjencës artificiale për të dëgjuar shenjat e sëmundjes duke përdorur sinjale zanore, si kollitja, teshtitja dhe nuhatja. Kjo teknologji, e cila do të funksionojë duke përdorur mikrofonat e smartfonëve të njerëzve, mund të revolucionarizojë diagnozat për komunitetet ku mjetet e avancuara diagnostikuese janë të vështira për t’u gjetur.
Gjiganti i teknologjisë po bashkëpunon me kompaninë indiane të kujdesit shëndetësor të frymëmarrjes që përdor IA, Salcit Technologies. Teknologjia, e cila u prezantua në fillim të këtij viti si Përfaqësimet Akustike Shëndetësore, ose HeAR, është ajo që njihet si një model themeli bioakustik.
Më pas HeAR u trajnua me 300 milionë pjesë të të dhënave audio, duke përfshirë 100 milionë tinguj kolle, për të mësuar të dallojë sëmundjet e ndryshme.
Më pas do të analizohen tingujt e kollës dhe do të bëhet vlerësimi për shëndetin e mushkërive, për të ndihmuar në zbulimin e hershëm të tuberkulozit, bazuar vetëm në këta tinguj. Sipas statistikave, tre deri në katër milionë raste të tuberkulozit nuk raportohen. Nëse nuk trajtohet, shkalla e vdekshmërisë është më e lartë se 50%.
Inteligjenca artificiale ka krijuar mundësi të reja për zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të një game të gjerë sëmundjesh. Nga zbulimi i shenjave të sëmundjeve kronike, tek identifikimi i llojeve të panjohura më parë të kancerit endometrial, apo i sëmundjes së Parkinsonit, studiuesit nga e gjithë bota e kanë kuptuar sa e dobishme është kjo risi, dhe teknologjia është ende në fazat e hershme.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.