Ibrahimaj dhe Kumbaro, takim me institucionet përgjegjëse për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike!
Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe pjesëmarrjen e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u zhvillua sot një takim me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në vend.
Sipas njoftimit palët diskutuan mbi rikoordinimin e punës sensibilizuese dhe zbatimit të përgjegjësive të secilit institucion, për vijimin e kontrolleve në terren për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike, si dhe të marrjes së masave të parashikuara ligjore në rastet kur konstatohet mos zbatimit i ligjit.
Ibrahimaj, kërkoi që institucionet përgjegjëse të angazhohen seriozisht gjatë periudhës në vijim në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.
Ndërsa Kumbaro, pohoi faktin se fushata sensibilizuese e ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore që ndalonin përdorimin e qeseve plastike dha efekte pozitive në treg por theksoi gjithashtu rëndësinë e vijimit të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet dhe të zbatohen detyrimet ligjore sa i përket ndalimit të përdorimit të qeseve plastike.
Sipas njoftimit për media Urdhri i Kryeministrit parashikon disa përgjegjësi dhe detyrime të një sërë institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, apo edhe njësitë e vetëqeverisje vendore përmes policisë bashkiake, për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në vend të qeseve plastike mbajtëse si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
‘Gjatë periudhës në vijim, të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces do të koordinojnë punën mes tyre dhe do të fokusohen në ushtrimin e kontrolleve dhe inspektimeve, në mënyrë që të garantohet zbatimi i ligjit sa i përket qeseve plastike,’ thuhet në njoftim.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.