IFC e BALFIN, marrëveshje financimi për zgjerimin e TEG. Edlira Muka: Grupi ynë një forcë ndryshimi. Karadsheh: Këto investime rrisin ekonominë
Kooporata Financiare Ndërkombëtare IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore ka nënshkruar këtë të premte me Grupin BALFIN, një marrëveshje financimi për zgjerimin e qendrës tregtare “Tirana East Gate” (TEG). Pas një procesi vlerësimi të përpiktë financiar, por jo vetëm, standardet e Grupit Balfin dhe të Teg u vlerësuan nga IFC.
Marrëveshja u nënshkrua në mjediset e TEG, me praninë e Presidentit të Grupit Balfin Samir Mane dhe aksionerëve të tjerë të TEG. Drejtorja Ekzekutive e BALFIN Edlira Muka, u shpreh se Grupi është në rrugën e duhur për t’u bërë një forcë ndryshimi në industritë ku operon dhe e quajti procesin e zgjerimit një kapitull të ri për TEG.
“Kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë se Grupi Balfin është në rrugën e duhur për t’u bërë një forcë ndryshimi në industritë ku operon. Arritjet tona të deritanishme na bëjnë të sigurt në investimet tona të ardhshme ndërsa mbështetja e IFC-së është një garanci shtesë për suksesin tonë”deklaroi Edlira Muka, Drejtore Ekzekutive e grupit Balfin.
Të njëjtin entuziazëm për marrëveshjen shprehu edhe Rana Karadsheh-Haddad, Drejtore Rajonale e IFC-së për Evropën. Ajo tha se këto lloj investimesh krijojnë vende pune e rrisin ekonominë e gjithë vendit.
“Ne jemi të lumtur që jemi partnerë me Grupin BALFIN dhe mbështesim investimet në infrastrukturën e shitjes me pakicë të vendit, duke krijuar vende pune, shërbime të reja dhe mundësi në të gjithë vendin. Me këtë investim ne po përcjellim gjithashtu besimin tonë në perspektivat afatgjata për zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë” deklaroi ajo.
BALFIN është një grup lider i investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I themeluar në vitin 1993, në Vjenë nga Samir Mane, sot Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi, Zvicër, Kroaci dhe Holandë.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.