Ilir Proda, në krye të Policisë së Shtetit – Vendimi i Qeverisë, Hoxha: Së shpejti hapet gara për drejtuesit në qarqe
Ilir Proda do të jetë drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pas procesit të ndërmarrë për përzgjedhjen e kreut të bluve, qeveria ka firmosur emrin e propozuar nga Ministria e Brendshme, teksa pas mbledhjes së qeverisë, ministri Ervin Hoxha tha se së shpejti do të hapet gara për drejtorët e policisë në qarqe.
“Me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Ilir Proda. Menjëherë pas emërimit të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të hapim konkurrimin, për një proces të ri, sa i përket gjithë drejtuese të policisë në qarqe”, – tha Hoxha.
Gara për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit u zhvillua përgjatë muajit shtator, kur fillimisht Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për këtë pozicion. Komisioni i Posaçëm i ngritur në kuadër të procesit zhvilloi seanca dëgjimore për 11 kandidatë të kualifikuar, ndërsa paralelisht kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për secilin prje tyre.
Në fund, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, teksa Hoxha vendosi t’i përcjellë Këshillit të Ministrave emrin e kandidatit Ilir Proda, që në mbledhjen e të mërkurës zyrtarizoi emrin e tij në krye të Policisë së Shtetit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.