Inflacion, apo recesion – Cili do të ishte skenari më i keq për Europën?

Cili është më keq inflacioni apo recesioni? Pasojat e luftës në Ukrainë që shqetësojnë Europën, do të trondisin ekonominë dhe në vjeshtë. Por a është inflacioni – rritja progresive e nivelit mesatar të përgjithshëm të çmimeve, apo pakësimi progresiv i fuqisë blerëse, armiku i vërtetë që duhet luftuar?
Për sa i përket situatës së çmimeve sipas produkteve, rritja më e madhe është regjistruar ashtu si parashikohej në sektorin e energjisë, ndjekur nga ushqimet, pijet alkoolike, duhani dhe shërbimet.
Në gusht inflacioni ishte në nivelin 9% dhe pse po ngadalësohet në Francë dhe Gjermani, për këtë arsye Banka Qendrore Europiane dhe disa vende europiane duket se preferojnë aktualisht një ngadalësim të prodhimit se sa një rënie të vlerës së monedhës, e si pasojë vështirësi më shumë për qytetarët.
Kjo koincidencë e çmimeve të larta dhe rritjes së ulët, e quajtur stagflacion, e vendos Bankën Qendrore Europiane përballë zgjedhjeve të dhimbshme.
Të dhënat e fundit mbi inflacionin, do të forcojnë argumentet për rritjen e jashtëzakonshme të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane në 75 pikë bazë.
Pas inflacionit a do të përballet Europa me recesion? Për të gjithë tremujorin e parë frika kryesore e operatorëve, analistëve dhe Bankave Qendrore ka qenë pa dyshim inflacioni, me cmimet që janë rritur në nivele që nuk regjistroheshin që nga vitet ’70.
Ndërsa aktualisht janë të shumtë ata që flasin për recesionin si problemin e ardhshëm, dhe bëhet fjalë për një cështje zgjidhja e së cilës do të kërkonte mjete të ndryshme nga ato me të cilat luftohet inflacioni. Çmimet janë rritur për arsye të ndryshme, si pasojë e luftës në Ukrainë por edhe për shkak të investimeve të pakta në naftë dhe gaz vitet e fundit.
Rritja e cmimeve të produkteve të përgjithshme është problemi kryesor për sipërmarrjet. Klientët përballë çmimeve më të larta reagojnë duke blerë më pak. Kjo shkakton dhe kontraktimin e parë të prodhumit në krahasim me periudhën e mëparshme.
Në momentin që Bankat Qendrore duhet të rrisin normat e interesit për t’u përballur me inflacionin, i gjithë sistemi financiar do të rrisë koston e parasë. Sipërmarrjet në këtë pikë do të paguajnë më shumë për kreditë duke përkeqësuar dhe më shumë strukturën e kostove. Në këtë pikë disa projekte investimi nuk do të ndërmerren, të tjera do të dështojnë duke shkaktuar një ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë.
Të gjitha së bashku përkthehen në recesion, me analistët që e parashikojnë si një hipotezë të mundshme jo vetëm në Europë por dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por dhe ekonomitë si në Japoni apo Australi mund të përjetojnë të njëjtën situatë. Për momentin shpëtimi përfaqësohet nga rritja e fortë e kërkesës post Covid. Por me cmimet në rritje të vazhdueshme nuk është e thënë që kjo kërkesë të vazhdojë të jetë e lartë për shumë kohë. Vjeshta do të jetë një provë shumë e rëndësishme për të gjitha ekonomitë kryesore.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.