Inflacioni “infekton” edhe gjelin e detit – Pensionistët: Shpërblimi i pamjaftueshëm për fundvit. Shpresën e kemi te fëmijët
Pensionistët janë ndër subjektet më vulnerabël ndaj efekteve të inflacionit. Rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve po bëhen gjithnjë e më shumë të paaksesueshme për ta. Duke pasur një nivel të ulët konsumi për shkak të të ardhurave të pakta e duke qenë se inflacioni ka prekur më fort produktet e shportës, impakti në këtë kategori është më i lartë sesa në kategoritë e tjera të shoqërisë.
E ndërsa Shqipëria e ka ‘traditë’ të përvitshme shtrenjtimin e produkteve në periudhën e festave, këtë vit situata paraqitet edhe më e ndjeshme. Një nga produktet klasike të fundvitit, gjeli i detit, këtë vit ka nisur të njohë rritje që tani, duke u shtrenjtuar me shumë se 30 % në krahasim me një vit më parë e duke kapërcyer si inflacionin e zakonshëm të këtij viti, ashtu edhe ‘traditën’ e përvitshme të shtrenjtimit të produkteve në kohë festash.
E pavarësisht se për pensionistët do të jepet një shpërblim simbolik prej 5 mijë lekësh dhe pensionet janë indeksuar pak muaj më parë, sërish këto masa nuk janë të mjaftueshme për të mundësuar që ata ta kenë një tryezë të plotësuar në mbrëmjen e fundit të vitit.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor i një pensionisti në zonat urbane është në vlerën e 17.258 lekëve. Edhe pse niveli i pensionit mesatar ka ardhur në rritje graduale, sërish ai mbetet shumë i ulët në raport me çmimet dhe nevojat që ka kjo kategori. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për pensionet rurale ku pensioni mesatar shkon deri në 9568 lekë.
Marinela Lina/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.