Inflacioni shqetësues, por Shqipëria do i rezistojë recesionit – Sejko: Ekonomia ka përballuar testet, sistemi bankar i qëndrueshëm. Ibrahimaj: Vijojmë investimet
Gjatë një konference shkencore dedikuar tërësisht inflacionit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko e ka përkufizuar si shqetësuese situatën e rritjes së çmimeve, dhe veçanërisht shtrirjen e saj në kohë. Gjithsesi, ai tha se ekonomia shqiptare do të rezistojë pa rënë në recesion.
Ndërsa analizoi shtyllat kryesore të ekonomisë, Sejko tha se sistemi bankar vijon të mbetet i qëndrueshëm, të mbështesë financiarisht familjet e bizneset si dhe të garantojë qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare.
Në fjalën e saj, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj e konsideroi inflacionin si një shqetësim që kërkon shumë vëmendje, por pa cënuar rritjen ekonomike. Ajo tha se Qeveria do të vijojë investimet në sektorin energjitik dhe atë të shërbimeve dixhitale.
Banka e Shqipërisë po zhvillon në Tiranë në bashkëpunim me Shollën Ekonomike dhe të Shkencave politike të Londrës, Konferencën e nivelit të lartë me temë “Rikthimi i Inflacionit, si mund ta përballojmë në kushtet e pasigurive të shtuara”.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.