“Investo në tokën tënde – Paketa e Maleve” – Gati projektligji për zhvillimin e ekonomisë malore
Diamila Leka/ Scan
Në Konsultime Publike ka dalë projektligji “Për Shitjen e Pasurive të Paluajtshme Shtetërore Poseduesëve Faktikë Jo pronarë në Zonat me Përparësi Zhvillimin e Ekonomisë Malore”. Por cili është qëllimi i këtij projektligji?
Sipas relacionit, ky projektligj ka për qëllim, të japë zgjidhje ligjore, një specifike që paraqet situata aktuale me pasuritë e paluajtshme shtetërore, në zona rajonale apo lokale të qeverisjes vendore, që konsiderohen si zona të një rëndësie të veçantë me përparësi zhvillimin e tyre.
Që do të thotë, objektiv i këtij projektligji është përcaktimi i procedurave dhe rregullave, për konsolidimin e marrëdhënies juridike të pronësisë mbi pasuritë shtetërore, në zonat e cilësuara si zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, të cilat në përfundim të procesit të përditësimit dhe inventarizimit, rezultojnë me posedues faktik jo pronar.
Ndërkohë, iniciativa për këtë projektligj merret në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural – Programi i 100 Fshatrave”, dhe më konkretisht, në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, për zhvillimin e atyre zonave rajonale apo lokale të qeverisjes vendore, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik.
Ndërsa ajo që synohet të arrihet përmes tjetërsimit të këtyre pronave shtetërore, me çmim simbolik 1 euro, tek poseduesit e tyre faktikë, jo pronarë, të cilët shprehin interesin dhe kanë një plan investimi konkret për pasurinë që posedojnë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.