Itali, 2.6 milionë persona në rrezik të ushqimit – Rritja e inflacionit do t’u kushtojë italianëve 564 milionë euro më shumë në tryezë për 2022
Me rritjen e çmimeve gjatë stinës së vjeshtës, mbi 2.6 milionë persona në Itali janë në rrezik të ushqimit. Në këtë përfundim ka arritur një studim I shoqatës Coldiretti në raportin ekskluziv me temë “Vjeshta e nxehtë e italianëve në tryezën midis nxitimit të çmimeve dhe të varfërve të rinj”.
Sipas presidentit të Coldiretti, Ettore Prandini, lufta në Ukrainë, që po gjunjëzon familjet dhe bizneset me ndryshimet klimatike, thatësira dhe stuhitë, që dëmtojnë të korrat duke tkurrur prodhimin, janë disa nga shkaqet për këto rezultate.
Me rritjen e çmimeve të shportës, është rritur edhe numri i personave të detyruar të përdorin qendrat sociale dhe shumë më shpesh ndihma në pako ushqimore. Janë ndihmuar 538,423 fëmijë (të moshës 15 vjeç ose më pak). 299,890 të moshuar, 81,963 të pastrehë (65 vjeç e lart), 31,846 invalidë, nga Fondi për Ndihmën Evropiane për Më të Paprivuarit (Fead).
Sipas studimit, rritja e pandalshme e inflacionit, i shtyrë nga çmimet rekord të gazit, do t’u kushtojë familjeve italiane 564 euro më shumë vetëm për tryezën në 2022, për shkak të rritjes së kostove të energjisë lidhur me luftën në Ukrainë dhe tkurrjes së të korrave për shkak të thatësirës.
Kategoria për të cilën italianët do të shpenzojnë më së shumti në përgjithësi është buka, makaronat dhe orizi, me një shpenzim shtesë vjetor prej gati 115 euro, më pas mishit dhe nënproduktet që do të kushtojnë 98 euro më shumë se në 2021 dhe perimet me 81 euro më shumë.
Rritja e çmimeve dhe ajo e varësisë ushqimore nga jashtë, janë arsyet se në vitin 2022 importet e produkteve agroushqimore nga jashtë, nga gruri për bukë e deri te misri për ushqim për kafshët, u rritën në vlerë me gati një të tretën, duke i hapur rrugën rrezikut të një uljeje të rrezikshme të standardeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Bazuar në këto të dhëna, Coldiretti argumenton se është strategjike të plotësohet deficiti ushqimor i Italisë, që prodhon vetëm 36% të grurit të butë që i nevojitet, 53% të misrit, 51% të mishit të viçit, 56% të grurit të fortë për makaronat, 73% të elbit, 63% të mishit të derrit dhe atij të përpunuar. Ndërsa, për qumështin dhe djathrat arrihet 84% e vetë-mjaftueshmërisë. Një situatë e përcaktuar mbi të gjitha nga pagat e ulëta të paguara për fermerët që janë detyruar të reduktojnë prodhimin kombëtar të misrit me gati 1/3 në 10 vitet e fundit gjatë të cilave një në pesë ara me misër janë transformuar me humbjen e gati gjysmë milioni hektarësh të kultivuar.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.