Italia heq dorë nga pagesat cash – Vendimi, pas kritikave dhe presionit nga Bashkimi Europian
Italia do të heqë dorë nga disa plane të saj për lehtësimin e pagesave në cazh për mallra dhe shërbime, pas kritikave nga autoritetet e Bashkimit Europian. Lajmi u konfirmua nga ministri italian i ekonomisë Giancarlo Giorgetti.
Në projektbuxhetin e vitit 2023, qeveria e kryeministres Meloni synonte ndryshimin e sistemit aktual, sipas të cilit shitësit rrezikojnë gjoba nëse refuzojnë të pranojnë pagesa me kartë duke thënë se nuk do të ketë penalitete për transaksionet deri në 60 euro.
Kjo masë u kritikua nga Komisioni Europian, sipas të cilit kjo nuk është në përputhje me rekomandimet e mëparshme të BE-së për Italinë për të përmirësuar pajtueshmërinë me taksat. Ministri i ekonomisë deklaroi para parlamentit të vendi se qeveria ishte tërhequr nga ky propozim, por ai shtoi se shpresonte që të kishte një reflektim të mëtejshëm në nivel evropian.
Kritikët thonë se pagesat në cash inkurajojnë evazionin fiskal në një vend ku rreth 100 miliard euro në taksa dhe kontribute të sigurimeve shoqërore shmangen cdo vit, sipas të dhënave zyrtare.
Gjobat aktuale prej 30 euro plus 4% të vlerës së transaksionit ishin një nga kushtet e një kësti prej 21 miliardë eurosh të parave të fondit të rimëkëmbjes së BE-së pas COVID-19, që Roma siguroi në gjysmën e parë të vitit.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit, kryeministrja Giorgia Meloni, e cila mori detyrën në tetor, vazhdon të jetë më e butë me paratë e gatshme se paraardhësit e saj.
Buxheti i saj i parë, i cili duhet të miratohet nga parlamenti para fundit të vitit, rrit kufirin e pagesës me para në dorë nga 1.000 në 5.000 euro nga viti i ardhshëm.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.