Italianët mbeten pa naftë dhe benzinë – Pikat e shitjes me pakice të karburantit nisin grevën 48 orëshe
Nuk shërbeu për asgjë përpjekja e fundit e ndërmjetësimit të Ministrisë së Sipërmarrjes në Itali, pasi pikat e karburantit në vend kanë nisur grevën 48 orëshe deri në 26 janar.
Menaxherët e tyre kundërshtojnë dekretin e qeverisë së kryeministres Meloni që parashikon detyrimin për pikat e karburantit që të ekspozojnë cmimin mesatar kombëtar të benzinës dhe gazit pranë çdo pike shitjeje. Sipas shoqatave të këtij sektori, bëhet fjalë për një fushatë poshtëruese e cila synon tërheqjen e vëmendjes nga masat jo efikase të ndërmarra nga qeveria. Kjo e fundit këmbëngul se me publikimin e cmimeve, objektivi i qartë i ekzekutivit është ndalimi i rritjeve spekuluese, si dhe vendosjen e gjobave për ata që nuk e zbatojnë.
Por sipas menaxherëve, rritja e cmimeve të karburanteve lidhen me eliminimin e zbritjes së akcizës që ishte vendosur nga qeveria e kryeministrit Mario Draghi. Greva përfshin 70% të 22 mijë pikave të karburantit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjithë Italinë.
Por cfarë parashikon ligji për grevën e karburanteve.
Në sektorin e karburanteve, rregullorja e grevës parashikon se gjatë kësaj kohe një numër pikash karburanti duhet të “mbahen në shërbim të paktën 50% e objekteve të hapura në ditë festash sipas turneve të planifikuara”. Lista e pikave të hapura të karburanteve është në duart e prefekturave të ndryshme që mund të vendosin ta bëjnë publike. Sistemet plotësisht të automatizuara priren të mbeten të hapura. Nga ana tjetër, sipas ligjit një pikë karburanti duhet të qëndrojë e hapur çdo 100 kilometra.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.