Izraeli teston “taksinë ajrore” – Avioni i vogël me dy vende në shitje në 2024 për 150 mijë dollarë
Një mjet elektrik flutures i prodhuar nga Izraeli, i krijuar për të transportuar udhëtarët në udhëtime të shkurtra mbi rrugët e mbipopulluara me automjete, ka kryer fluturimin e parë pa pilot. Një moment historik, për të cilin krijuesi i këtij mjeti shprehet se do ta ndihmojë atë të dalë në treg në dy vitet e ardhshme.
Udhëtimi në fazën e testimit mund të mos duket i jashtëzakonshëm në fillim duke pasur parasysh përparimin e madh të bërë në teknologjinë e dronëve: një tjetër avion me helikë që ngrihet vertikalisht nga toka dhe më pas shtyhet përpara lart në qiell.
Por ky, i zhvilluar nga startup-i izraelit AIR, do të jetë në gjendje të transportojë dy persona – një operator dhe pasagjer – deri në 160 kilometra me një karikim të vetëm. AIR, dhe shumë konkurrentë në mbarë botën, besojnë se ky lloj udhëtimi përfundimisht do të bëhet i zakonshëm.
Gjithësesi ka ende shumë pengesa të rëndësishme për të kaluar përpara se njerëzit të mund të presin që të fluturojnë nëpër qytete me automjete të vogla si këto – duke përfshirë krijimin e rregulloreve dhe komercializimin e teknologjisë. Por krijuesit e tij shprehen se automjeti tashmë përmbush shumicën e rregulloreve dhe do të jetë i lehtë dhe i sigurt për t’u përdorur.
Ata shpjegojnë se trajnimi i fluturimit të AIR ONE është një proces shumë shumë i shkurtër. Mjeti nuk fluturon vetë, por është përdoruesi ai që do i kërkojë atij që të bëjë veprimet që dëshiron, të cilat do të përkthehen në manovra. Faza tjetër e testimit të AIR është me dikë në bord.
Prodhuesit shpresojnë se avionët e tyre elektrikë të ngritjes dhe uljes vertikale, ose eVTOL, do të dalin në treg në fund të vitit 2024 me një çmim bazë prej 150 mijë dollarë. Shpejtësia mesatare e përditshme do të jetë rreth 160 km/h në një lartësi prej 366 metrash.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.