“Ka ushqim, por çmimet janë tepër të larta” – OKB vlerëson se çmimet globale të ushqimeve mund të rriten edhe me 8.5% deri në vitin 2027
Çmimet e ushqimeve mbeten të larta, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë vijon të zgjatet, duke përkeqësuar presionin nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe ndryshimet klimatike, shprehet Arif Husain, kryeekonomist në Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.
Ukraina është një prodhues i madh i grurit, misrit dhe vajit të lulediellit. Edhe pse eksportet globalisht janë kufizuar për shkak të luftës në Ukrainë, Husain tha se kriza globale e ushqimit nuk nxitet nga disponueshmëria e ushqimit, por nga rritja e çmimeve.
“Kjo krizë ka të bëjë me përballueshmërinë, që do të thotë se ka ushqim në dispozicion, por çmimet janë vërtet të larta”, theksoi Huasin. Sipas shifrave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, çmimet globale të ushqimeve në korrik ishin 13% më të larta se një vit më pare dhe mund të vazhdojnë të rriten. Në skenarin e saj më të keq, OKB vlerëson se çmimet globale të ushqimeve mund të rriten edhe me 8.5% deri në vitin 2027.
Çmimet e fertilizuesve gjithashtu po rriten, duke kontribuar në çmimet më të larta të ushqimeve pasi kostot kalojnë te konsumatorët. Çmimet u rritën pasi Rusia, e cila përbën rreth 14% të eksporteve globale të plehrave, kufizoi eksportet. Kjo nga ana tjetër ka ulur rendimentet e prodhimeve bujqësore.
OKB-ja vlerëson se numri i njerëzve në “emergjencë urie”, që i përkufizon si një hap larg urisë, është rritur nga 135 milionë në vitin 2019, në 345 milionë aktualisht.
Ndërkohë, moti ekstrem dhe ndryshimet klimatike po përkeqësojnë gjithashtu kushtet që kontribuojnë në pasigurinë globale të ushqimit. Kina, prodhuesi më i madh në botë i grurit, ka pësuar dëme të shumta nga moti, që nga përmbytjet e deri te thatësira.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.