Kartë kombëtare bankare për pagesat në lekë? – Meka: Kosto të ulëta për qytetarët dhe bizneset. Ndjekim modelin e Serbisë
Ledina Elezi /SCAN
Të vetmet karta bankare në qarkullim sot në Shqipëri janë VISA dhe MasterCard, ndërsa kartat lokale dhe American Express prej disa vitesh nuk emetohen më. Vende të ndryshme kanë krijuar një kartë kombëtare për kryerjen e pagesave brenda vendit, por jo vetëm. Po në Shqipëri, a duhet të kemi një kartë kombëtare për pagesat në lekë?
Profesori i Ekonomisë, Elvin Meka, tha për SCAN TV se emetimi i një karte kombëtare nga Banka Qendrore, apo bankat tregtare, do të rezultonte në kosto më të ulëta të tarifave për qytetarët dhe bizneset.
“Ofrimi i një karte të tillë për qytetarët shqiptarë, përveç avantazheve të kostove, do të ishte më e lehtë për t’u pranuar nga tregtarët përdorimi i kësaj karte, pasi do të kishte kosto ose tarifa më të ulëta në raport me kartat që kanë një qasje ose të ofruara nga institucionet ndërkombëtare apo bankat e huaja.”
I pyetur në lidhje me vendet e tjera në Evropë, Meka u shpreh se Serbia është një shembull suksesi me DinaCard, e cila prej disa kohësh është hedhur në qarkullim dhe së fundmi po përdoret edhe jashtë territorit të Serbisë për kryerjen e pagesave.
“Shqipëria e ka një rast, më mirë të themi suksesi, të ofrimit të një karte kombëtare. Madje DinaCard sot ka edhe një qasje ndërkombëtare, që do të thotë se edhe jashtë tregut ose eksosistemit të pagesave të Serbisë mund të kryhen pagesa me këtë kartë.”
Diskutimet për një kartë kombëtare kanë qenë të pranishme prej vitesh në Shqipëri, por dominimi i tregut nga dy kartat ndërkombëtare VISA dhe MasterCard, apo infrastruktura që nevojitet për emetimin e një karte kombëtare, e kanë bërë të vështirë krijimin e saj.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.