Katër aplikime të reja për centrale diellorë – Rriten kërkesat e investitorëve për parqe te mëdhenj, por pak miratime nga MIE
Një muaj pas depozitimit të 3 aplikimeve, 4 kërkesa të reja kanë mbërritur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e centraleve të mëdhenj fotovoltaikë, duke treguar interesin që investitorët kanë për energjinë diellore. Referuar aplikimeve, fuqia e instaluar për njërin prej projekteve është 22.59 MW, ndërsa parashikohet të ndërtohet në fshatin Bashkim të Fierit.
Aplikimi i dytë përfshin një central me kapacitet të instaluar 20.96 MW, në Elbasan, ndëra tjetri parashikon ndërtimin e një centrali 40.56 MW, në fshatin Sheq Marinas të Fierit. Ndërkohë që, aplikimi i katërt është për një central me fuqi 10 MW, në Plug të Fierit. Në rast të finalizimit të procedurave, projektet nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë. Së fundmi, investitorët kanë rritur interesin për ndërtimin e centraleve të mëdhenj fotovoltaikë, pasi janë një sërë kërkesash të bëra pranë MIE. Pak muaj më parë, pranë këtij dikasteri u dorëzuan edhe 2 aplikime të tjerë, për centrale me fuqi të instaluar prej 100 MW dhe 49.855 MW.
Paralelisht, 2 parqe të tjerë janë në fazë edhe më të avancuar. Më konkretisht, bëhet fjalë për centralet “Blue 1” dhe “Blue 2”, me një fuqi totale të instaluar prej 100 MW, njëri prej të cilëve është licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë në aktivitetin e prodhimit të energjisë. Gjithsesi, pavarëissht numrit të lartë të aplikimeve edhe për centrale deri në 2 MW, numri i miratimeve të dhëna nga MIE është i ulët, ndërkohë që ky është hapi kryesor për të avancuar me proceduart e mëtejshme për funskionimin e këtyre impianteve.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.