Kërkimi i naftës, në “garë” 1 kompani – AKBN: Shqiptarja EDG, në garë për 2 blloqe. ENI u tërhoq pasi u njoh me paketën e dokumenteve

Energy Development Group është kompania e vetme që ka shprehur interes për eksplorimin e naftës në bllokun C dhe Panaja. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore bëri me dije për TV SCAN se kjo kompani ka depozituar nga një aplikim për secilin nga blloqet e sipërcituar, ndërkohë që procesi është ende në vijim.
“Agjenica Kombëtare e Burimeve Natyrore ka përfunduar vlerësimet e saj lidhur me aplikimet e depozituar dhe ia ka paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të gjykuar lidhur me hyrjen ose jo në negociata me kompaninë aplikuese”, – deklaroi AKBN.
Energy Development Group është një kompani shqiptare e krijuar në vitin 2008 e që administrohet nga biznesmeni Sokol Meqemeja. Paralelisht, AKBN bëri me dije se pas publikimit të njoftimit për shpalljen e Bllokut Panaja dhe Bllokut C për aplikim fillimisht shfaqi interes edhe kompania italiane Eni, por pasi u njoh me paketën e të dhënave, informoi se nuk do të merrte pjesë në aplikim për këto blloqe.
Njoftimi për eksplorimin e bllokun C dhe Panaja në tokë u publikua nga AKBN në muajin maj të këtij viti, ndërkohë që kompanitë kishin 3 muaj kohë për dorëzimin e aplikimeve. Sipas kritereve të shpallura, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit do të jetë deri në 5 vjet, por në bazë të legjislacionit në fuqi, mund të zgjatet deri në 7 vjet. Periudha e eksplorimit do të ndahet në tri faza, ndërkohë që kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi, që ndër të tjera parashikon detyrime për punësimin e banorëve të zonës.
Po ashtu, në kritere përcaktohet se në rast zbulimit tregtar, periudha e zhvillimit dhe prodhimit do të jetë 25 vjet dhe mund të zgjatet më tej. Kjo nuk është hera e parë që AKBN ofron për eksplorim këto 2 blloqe nafte, pasi një fushatë e ngjashme u ndërmor edhe në vitin 2019. Përveç tyre, në atë kohë u ofrua për eksplorim edhe blloku Dumrea, teksa procedurat u finalizuan vetëm për këtë të fundit. Marrëveshja për nisjen e operacioneve të kërkimit të naftës për këtë bllok u nënshkrua me kompaninë italiane ENI, në fund të vitit 2019.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.