Klima e biznesit, kryeministri kritikon raportet – Rama: Do të përmirësojmë legjislacionin. Debate edhe për energjinë
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim me dhomat e biznesit mbi rekomandimet për përmirësimin e klimës dhe forcimin e dialogut për të rritur kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit. Kryeministri deklaroi se legjislacioni që lidhet me këtë klimë është i prapambetur dhe do të përmirësohet, duke u përafruar me legjislacionin e vendeve të zhvilluara.
“Që klima e biznesit ka problematika të veta kjo nuk diskutohet por mjafton t’i hedhësh një sy të gjitha hapave që janë bërë, nga procese të lodhshme, të zvarritshme, në procese që sot janë elektronike, janë pa kontakt fizik. Është e pamundur që kjo të mos reflektohet në raportet që bëjnë dhomat e tregtisë. Është e pamundur që ne të jemi peng i anketave, që bëhen në mënyrë jo profesionale, që në thelb cenojnë imazhin e vendin por edhe klimën e biznesit vetë. Është e pamundur që Shqipëria nëpër raporte të dalë njësoj, siç kur kishte radha kilometrike në sportele. Legjislacioni që lidhet me klimën e biznesit është i prapambetur dhe do të përmirësohet, duke u përafruar me legjislacionin e vendeve të zhvilluara”, u shpreh Rama.
Pjesë e takimit presidenti i Konfidustrisë Italiane në Shqipëri, Sergio Fontana kërkoi në ndihmë të bizneseve përmirësimin e E-albania dhe ndërtimin e një plani strategjik për energjinë.
Në takimin me sipërmarrësit dhe dhomat e bizneseve, Rama dhe kreu i Konfiundustria, Gjergj Buxhuku debatuan në lidhje me situatën energjetike në vend. Buxhuku kërkoi stabilizimin e tregjeve në vend. Sipas tij vendi nuk ka varësi nga tregu.
“Duhet të bëjmë më shumë për diversifikimin e energjisë. Ne nuk kemi varësi shumë të madhe nga tregu, kemi një lloj pavarësie Unë ia kam paraqitur të gjithë ministrave të Financave një shqetësim shumë të madhe. Ne duhet të përmirësojmë politikat tona tregtare. Tani jemi në prag të hapjes së kapitujve për anëtarësimin në BE, edhe në momentin kur keni ndërmarrë nismat për tregje rajonale. Të mos firmosim më symbyllazi marrëveshjet tregtare”, u shpreh Gjergj Buxhuku, Drejtor i përgjithshëm, Konfindustria.
“Shqipëria nuk prodhon, edhe në ditën e vet më të mirë, edhe në vitin 2012 që ka qenë me reshjet më të larta, nuk e prodhon dot të gjithë energjinë që konsumon. Pra nuk është e pavarur në aspektin e burimeve të veta energjetike. Ky është fakt dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të dalë në treg dhe duhet t’i nënshtrohet logjikës së çmimeve të rritura në mënyrë katastrofike në tregun ndërkombëtar. Ne kemi qëllim që të bëhemi në eksportues neto i energjisë, ky është objektivi. Për këtë arsye po ecim me ndërtimin e Skavicës. Me Skavicën ne do të arrijmë të optimizojmë kaskadën tonë kryesore”, tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë në fjalën e tij gjatë takimit me bizneset u kërkoi që të fillojnë dhe të prodhojnë energji diellore si një zgjidhje ndaj krizës që ka prekur vendin.
Marinela Lina / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.