Komisioni Europian kundër “Pasaportave të arta” të Shqipërisë!
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero-Hernandez, ka realizuar një intervistë për Deutsche Welle mbi rreziqet potenciale të zbatimit të projektit të qeverisë së Tiranës për dhënien e shtetësisë të huajve që mund të investojnë në Shqipëri.
Sipas saj BE-ja respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë por në të njëjtën kohë, konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj dhe nevojën e hapave të menjëhershme. Hernandez u shpreh se këto janë programe që ofrojnë shtetësinë në këmbim të një pagese ose investimi të paracaktuar dhe pa një lidhje reale me vendin në fjalë.
Në intervistën e dhënë për DW ajo u shpreh se ‘Rreziqet përfshijnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta. Komisioni i konsideron këto skema në shkelje të ligjit të BE-së dhe ka nisur në vitin 2020 procedurat kundër shteteve anëtare që e kanë shkelur këtë ligj. Për shkak të perspektivës së shtetësisë së ardhshme të BE-së, kombësia e vendeve kandidate mund të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët.’
Aktualisht BE-ja po monitoron, në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE, çdo plan nga vendet kandidate për të futur skemat e shtetësisë dhe sipas Hernandez BE po përgatit raportet e ardhshme vjetore të paketës së zgjerimit, që pritet të prezantohen në tetor.
Në lidhje me incidentin në objektin ushtarak në Gramsh Hernandez u shpreh se BE po pret një hetim të plotë nga autoritetet përkatëse shqiptare, i cili tashmë ka nisur dhe ndërkohë Shqipëria dhe BE kanë një partneritet të ngushtë për çështjet e sigurisë. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.