Kompanitë ruse po emetojnë obligacione në juan kinez – A do të ndjekë shembullin edhe qeveria e Putin?!
Disa kompani ruse po emetojnë obligacione të shprehura në juan kinez në mes të sanksioneve për luftën në Ukrainë.
Gjiganti shtetëror i naftës Rosneft ishte i fundit që ofroi 15 miliardë juanë, ose 2.1 miliardë dollarë, në një ofertë obligacioni, raportoi Interfax. Kjo pasoi një emetim prej 4.6 miliardë juanë nga Polyus, prodhuesi më i madh i arit në Rusi, në gusht.
Vetëm javë më parë në korrik, gjigandi rus i aluminit Rusal emetoi 2 miliardë juanë obligacione. Kërkesa për obligacionet ishte më shumë se dyfishi i asaj që u ofrua, tha kompania më 29 korrik.
Ministria e financave e Rusisë po konsideron gjithashtu emetimin e obligacioneve në juan kinez, raportoi gazeta e biznesit Vedomosti më 23 gusht, duke cituar një burim të afërt me qeverinë. Procesi mund të zgjasë deri në dy vjet, shtoi media.
Interesi i Rusisë për shlyerjet në juan vjen pasi disa banka ruse janë ndaluar nga SWIFT, shërbimi i mesazheve me bazë në Belgjikë që lejon bankat në mbarë botën të komunikojnë për transaksionet ndërkufitare.
Meqenëse Rusia dhe Kina janë përpjekur të krijojnë alternativa ndaj hegjemonisë së dollarit amerikan prej vitesh, ato po përfitojnë gjithashtu nga ky rast për të rritur përdorimin e sistemeve alternative të pagesave në një kohë kur tregtia mes të dyjave po rritet. Eksportet ruse në Kinë u rritën 60% në gusht nga një vit më parë, ndërsa dërgesat kineze në Rusi u rritën me 27% në të njëjtën periudhë, sipas llogaritjeve të Reuters bazuar në të dhënat e doganave kineze.
Në fillim të këtij muaji, gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom tha se do të fillojë të marrë pagesa me rubla dhe juanë, në vend të eurove, për eksportet e gazit natyror në Kinë. Lidhjet midis dy vendeve mund të thellohen këtë javë, pasi presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping pritet të takohen në një samit rajonal në Azinë Qendrore.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.