Kontrolle për pesticide në produktet bujqësore – Plani i AKU/ 1300 mostra në tregje dhe fabrikat e vajit të ullirit
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit planifikon që gjatë vitit 2024 të analizojë 1300 kampione mostrash për mbetje të pesticideve, për produkte të prodhuara në vend dhe të importuara, të shpërndara sipas qarqeve. Referuar udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë të publikuar në Fletoren Zyrtare, mostrat do të merren në tregjet me shumicë, pakicë, fabrikat e vajit të ullirit, përpara dorëzimit në pikat e grumbullimit.
Monitorimi i mbetjeve të pesticideve do të kryhet në tek fruta-perimet, agrumet, drithërat, bananet, etj.
Në bazë të situatës mund të bëhen ndryshime dhe përditësime të numrit të mostrave që duhet të analizohen. Për produktet e prodhuara në vend mostrat parashikohen të merren pas periudhës respektive të vjeljes.
Sipas dokumentit, për sektorin e kontrollit të mbrojtjes së bimëve inputeve bujqësore në regjistrin e subjekteve për vitin 2024 rezultojnë 2880 subjekte, apo 4.6% më pak se një vit më parë.
Inspektimet dhe marrja e mostrave do ti japë prioritet natyrës së aktivitetit të subjektit, riskun që paraqet produkti, frekuencës së inspektimit, rasteve pozitive ndër vite të njoftuara nga ISUV apo AKU, si dhe problematikave të hasura gjatë kontrolleve zyrtare.
Sa i takon importeve, do të merret në konsideratë numrin e ngarkesave importuese, rastet pozitive të rezultuara ndër vite; riskun që paraqet produkti, vëllimi i importeve në vit, shtetin e origjinës së produktit; besueshmëria e shtetit të origjinës, konsumatorët e synuar; refuzime të produktit në import që lidhet me problemet e eksportuesit.
Planifikimet mujore për marrjen e mostrave zyrtare për analizimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produkte plehëruese janë parashikuar në periudhën kohore kur këto inpute përdoren më shumë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.