Korrupsioni me pronat shtetërore, 100 milionë dollarë dëm – KLSH: Në 6 muaj kishte një total shkeljesh me efekt financiar në buxhet rreth 300 milionë dollarë!
Korrupsioni me pronat shtetërore përbën pjesën dërrmuese të dëmit ekonomik të konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në total KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik prej afërisht 300 milionë dollarësh për këtë periudhë, ku pikërisht shkeljet në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore rezultojnë 10,6 miliardë lekë, afërsisht 100 milionë dollarë.
Shkeljet me tenderat është një tjetër zë që ka prodhuar një dëm ekonomik me vlera të konsiderushme monetare. KLSH konstaton një dëm ekonomik prej afërsisht 5.2 miliardë lekësh, apo afërsisht 50 milionë dollarësh të shkaktuar përmes shkeljeve me procedurat e prokurimit.
Në fushën e tatim taksave, evazioni fiskal ka prodhuar një dëm ekonomik prej 3,2 miliardë lekësh, apo afërsisht 32 milionë dollarë, ndërkohë që përmes shpenzimeve operative, institucionet shtetërore kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 2,8 miliardë lekësh, afërsisht 28 milionë dollarë.
Në periudhën janar – qershor 2022, auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 64 subjekteve, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes: institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.