Korrupsioni në tenderët publikë – Kuvendi, KPP-së: Të rriten referimet penale, bashkëpunoni me SPAK-un
Ola Mitre / Scan
Komisioni i Prokurimit Publik duhet të bashkëpunojë me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, në kuadër të rritjes së numrit të referimeve penale për çështje që lidhen me korrupsionin në fushën e prokurimit publik nga autoritetet kontraktore apo operatorët ekonomikë”. Kërkesa për KPP vjen nga Kuvendi, në rezolutën për vitin 2024 që u miratua vetëm pak ditë më parë në seancë plenare.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur masat ndëshkimore që merren nga KKP në rast të konstatimit të shkeljeve kufizohen kryesisht në dhënien e rekomandimeve për gjoba ndaj punonjësve të institucioneve publike. Sipas të dhënave zyrtare nga ky dikaster, për vitin 2023 u konstatuan shkelje në procedurat e prokurimit publik nga ana e autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë për 30 çështje, të cilat iu referuan për hetim administrativ Agjencisë së Prokurimit Publik. Ndërkohë që, vetëm katër prej tyre iu referuan për hetim administrativ Rrjetit të Koordinatorëve Kundër Korrupsionit.
Korrupsioni në tenderë është një nga problemet kryesore për financat publike, ndërsa u evidentua edhe në raportin vjetor të SPAK që jepte një panoramë të detajuar të veprimeve korruptive të zyrtarëve të lartë. Në raport vihej në dukje se hetimet e kryera nga SPAK kishin gjetur tendera me dokumentacion tërësisht të falsifikuar, ndërsa veprimet korruptive mund të nisnin që në momentin e çeljes së fondit nga autoriteti kontraktor. Por, pavarësisht kësaj, raporti theksonte se institucionet publike nuk denoncojnë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.