Kosovë, rriten investimet për energjinë e rinovueshme – Rreth 160 biznese kanë përfituar nga projekti i BERZH, BE
Kristi Ceta/SCAN
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka nisur në Kosovë linjën e re të kredisë për bankat vendase për kreditim të mëtejshëm të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kuadër të programit SME Go Green, me mbështetjen e BE-së.
Përmes këtij program, bizneset do të kenë mundësi për investime në ekonominë e gjelbër, duke përfshirë investimet me efiçiencë energjetike, energji të rinovueshme dhe efiçiencë të resurseve duke kontribuuar në reduktimin e gazeve serrë.
Sergiy Maslichenko, shef i BERZH-it në Kosovë, us shpreh se Projekti Go Green është një instrument i rëndësishëm për investimet në energjinë e rinovueshme në vend. Ai theksoi se si BERZH e ka ndihmuar shumë Kosovën për të krijuar pavarësi dhe siguri energjetike.
“Për BERZH ky është programi kryesor për ofrimin dhe kanalizimin e fondeve përmes bankave komerciale që të arrijnë sa më shumë klientë. Kosova është duke e rritur konkurrueshmërinë në biznese dhe duke e ulur koston energjetike para së gjithash, me synimin për t’u bërë më shumë eksportuese dhe pjesë e zinxhirit ndërkombëtar të vlerave”, tha ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se programi SME Go Green mundëson qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të mesme e të vogla. Rizvanolli ndër të tjera theksoi se tashmë Kosova po punon drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe nuk ka kthim prapa.
Johannes Stenbak Madsen, shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian theksoi se janë të përkushtuar ta ndihmojnë ekonominë kosovare drejt energjisë së rinovueshme.
Ai tha se BE ka investuar 6 milionë euro për të dhënë grante apo 50% të huasë për të marrë një nga bankat partnere lokale dhe tri asistenca teknike për teknologji të re.
Deri më tani nga ky projekt kanë përfituar 159 biznese, dhe mbi 80% e përfituesve janë jashtë Prishtinës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.