Kotorri, në rrezik për shkak të fluksit turistik – Rritja e turizmit masiv po ndikon edhe në mjedisin detar
Kristi Ceta/SCAN
Qyteti malazez i Kotorrit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vendosur brenda gjirit piktoresk të Adriatikut, po përballet me bllokime të mëdha trafiku gjatë muajve të verës, ndërsa rrugët e tij të ngushta përmbyten me vizitorë.
Turizmi kontribuon afërsisht një të katërtën e prodhimit ekonomik të Malit të Zi, me të ardhurat që përbënë 24.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2022.
I paraqitur në filmin e James Bond të vitit 2006 Casino Royale, qyteti i Kotorrit tani është i mbingarkuar nga fluksi i turistëve dhe anijeve turistike. Vetëm në një ditë, katër anije lundrimi me rreth 5,000 turistë u ankoruan në port.
Jeta e banorëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjatë sezonit turistik. Doris Dajkovic, një banore e qytetit që punon në një dyqan lokal suveniresh, u ankua për bllokimet e trafikut dhe mungesën e vendeve të parkimit.
Numri i mbërritjeve vjetore të anijeve turistike është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dekadës së fundit, me rreth 500 që priten këtë vit. Vizitorët nga anijet turistike aktualisht tarifohen me 1 euro për të hyrë në qytet.
Rritja e turizmit masiv po ndikon gjithashtu në mjedisin detar lokal. Milica Mandiç, një këshilltare shkencore në Institutin e Biologjisë Detare të Malit të Zi, u shpreh se ky menaxhim vë në rrezik serioz jetën detare dhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë blu.
Në Kroacinë fqinje, qyteti i Dubrovnikut i listuar në UNESCO prezantoi një plan “Respekto qytetin” në 2017, duke kufizuar numrin e vizitorëve që vijnë nga deti në 4,000 në çdo kohë të caktuar.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.