Kredi me 0% interes për qiramarrësit që u dolën pronarët – Zbardhet plani i Qeverisë për strehimin e familjeve që humbën shtëpitë nga Akti i vitit 2012
Pas mjekëve, ushtarakëve, policëve, duket se në 2024 do të jetë radha e banorëve që janë nxjerrë nga shtëpitë e pronarëve ku jetonin me qira, për të përfituar kredi me zero interes për strehim. Scan Televizion ka zbardhur planin e qeverisë për të bërë ndërhyrjet ligjore që kjo shtresë e popullsisë të strehohet me kredi të subvencionuara nga shteti. Por nuk do jetë vetem kjo kategori që do përfitojnë kredi të lehtësuara. Në planet e Qeverisë hyjnë edhe familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës. Ndryshimet ligjore përë këtë qëllim do të përgatiten brenda shtatorit nga Ministria e Financave, e cila do ketë detyrën për përcaktimin e procedurave të aplikimit, kritereve dhe dokumentacionit për të përfituar kredi të lehtësuar.
Qëllimi i projektvendimit, thekson Qeveria është që familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë; fëmijët në përkujdesje të Republikës; familjet që banojnë si qiramarrës në ishpronë private, sipas aktit normativ nr. 3, datë 1.3.2012, të Këshillit të Ministrave “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues, në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, të miratuar me ligjin nr. 82/2012, të përfitojnë kredi me interes të barabartë me 0% të subvencionuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave.
Akti normativ në fjalë është miratuar në vitin 2012 dhe detyroi të gjithë banorët të cilët jetonin në banesa që u kishin dalë pronarët, t’i lironin ato. Në atë kohë u tha se ishin më shumë se 3 mijë banesa, që rezultonin të dhëna me qira ndërkohë që u ishte e njohur e drejta e pronësisë banorëve të ligjshëm. Akti ngjalli debate të forta sa i takon strehimit të banorëve që do largoheshin nga shtëpitë.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.