Kredi të lira për personat me të ardhura mesatare – Qeveria turke vazhdon të ndjekë një politikë stimuli fiskal dhe monetar
Kredi me norma më të ulëta dhe maturime më të gjata do t’u ofrohen turqve me të ardhura të mesme të cilat kërkojnë të blejnë banesa të reja. Lajmi u konfirmua nga ministri turk i financave Nuredin Nebati.
Ai saktësoi gjatë një konference për mediat, se kreditë hipotekore me shumën deri në 5 milionë lira turke, ose rreth 267 mijë dollarë, do të kenë maturim deri në 15 vjet dhe normat do të fillojnë nga 0.69%. Ai shtoi se qeveria ka përgatitur programin “Shtëpia ime e re” për qytetarët me të ardhura mesatare me tarifa të favorshme, mbështetje trevjecare nga ministria e financave në pagesa dhe një plan pagese të bazuar në të ardhurat e familjeve. Sipas tij, kreditë me norma të favorshme do të jepen për banesat e reja, para, gjatë ose pas ndërtimit.
Nga ana tjetër kontraktorët të cilët premtojnë të ndërtojnë banesa do të kenë gjithashtu akses të mbështetur nga fondet e garancisë së kredisë për financimin e rreth 25 miliard lirash turke.
Pak përpara zgjedhjeve që konsiderohen shumë të rëndësishme për presidentin Erdoan – në mes të këtij viti – qeveria turke vazhdon të ndjekë një politikë stimuli fiskal dhe monetar, duke përfshirë rritjen e pagave, përfitimet e pensionit, ndihmën sociale, energjinë dhe mbështetjen e bujqësisë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.