Kreditimi, në nivelin më të ulët prej 2016-ës – Bie me 18% në tetor, rrjedhojë e rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë
Rritja e normave të interesit dhe kriza e çmimeve duket se kanë nxitur një tkurrje domethënëse të kreditimit gjatë tetorit, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Pas muajsh me radhë rritje të huasë së re, politikat shtrënguese të Bankës së Shqipërisë kanë dhënë efekt. Kredia e re për ekonominë gjatë tetorit për të gjithë segmentet dhe për të gjitha valutat fiksohet pranë 19.17 miliardë lekëve, duke regjistruar kështu një tkurrje krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kur kredia e re fiksohej pranë 22.6 miliardë lekëve, duke rënë kështu me 17.9%. Edhe në tetorin e vitit 2020 huaja e re në total ishte më e lartë se këtë vit. Madje, nga analiza e shifrave historike vihet re se kreditimi këtë vit në tetor ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2016, kur fikoshej në 17.5 miliardë lekë.
Ndërkohë, sa i përket kredisë së re vetëm për sektorin privat, gjatë tetorit fiksohet pranë 19.17 miliardë lekëve, duke regjistruar një rënie krahasuar me një vit më parë, me 19.6%. Nga ana tjetër, kredia e re për individët fiksohet pranë 5.89 miliardë lekëve, nga rreth 6.5 miliardë lekë që ishte gjatë tetorit të vitit të kaluar, duke rënë kështu me 11.54%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara dhe analizuara nga “Scan Intel”. Huaja e re për individët regjistron kështu nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2020. E njëjta situatë vihet re edhe për kredinë e re për individët për blerje banese. Kjo e fundit fiksohet pranë vetëm 2.96 miliardë lekëve gjatë tetorit, nga 3.23 miliardë lekë që ishte një vit më parë, pra në rënie me 9.1%. Madje, ky segment i kredisë ka regjistruar rezultatin më të dobët të vitit, që prej janarit, por duke pasur parasysh që muaji i parë i vitit karakteriozhet nga një kërkesë e ulët për kredi, sidomos për blerje shtëpie.
Nga ana tjetër, nëse shohim shifrat zyrtare sa i përket normave mesatare të interesit vëmë re një rritje të ndjeshme gjatë tetorit, gjë që është reflektuar rrjedhimisht edhe në kreditim më të ulët. Normat mesatare të interesit për kreditë e reja në lekë janë ngjitur kështu në 7.47%, nga 7.07% që ishin në shtator. E njëjta gjë vihet re edhe për ato në euro, duke u ngjitur në 4.74%, nga 4.61% që ishin gjatë muajit pararendës. Sa i përket vetëm normave të interesit për kreditë e reja për individët në lekë ndërkohë, shifrat zinjalizojnë se janë ngjitur pranë nivelit më të lartë që prej dhjetorit të vitit 2015. Në tetor këto norma janë gjitur pranë 8.4%, nga 7.7% që ishin në shtator. Në tetor të 2016-ës normat mesatare të interesit për individët fiksoheshin pranë 8.63%.
Roel Korkuti/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.