Kreditorët e këqinj, kamatvonesa për zvarritjen e ekzekutimit – Kushtetuesja e dërgon në Kuvend për plotësim: Është në përputhje me direktivat e BE
Debati lidhur me vonesat e ekzekutimit të kredive të këqija konsumatore ka marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Ajo ka vendosur se kreditorëve që kanë ndërprerë shlyerjen e huave bankare do u merren kamatvonesat për sa kohë ata kanë vonuar zbatimin e urdhërave ekzekutivë. Gjykata Kushtetuese ka vendosur të detyrojë Kuvendin që brenda gjashtë muajve të plotësojë ligjin për të bërë të mundur që vjelja e kamatvonesave të jetë e pashmangshme.
Vleresimi I kushtetueshmërisë së kësaj procedure është kërkuar nga Gjykata e Tiranës.
Në thelb të pretendimit qëndron argumenti se vjelja e kamatvonesave vjen si direktivë e Bashkimit Europian, por se në kushtet kur Republika e Shqipërisë nuk i ka përmbyllur ende procedurat për integrimin në Bashkimin Europian, kjo Direktivë nuk është pjesë e rendit juridik shqiptar.
Por, Gjykata Kushtetuese vlerësoi themelin e pretendimit se dispozita e kundërshtuar bie ndesh me detyrimet e Republikës së Shqipërisë që rrjedhin nga MSA-ja për mbrojtjen e konsumatorëve dhe arriti në përfundimin se ky pretendim është i pabazuar. Formulimi i dispozitës së kundërshtuar detyron gjykatat që në procedurën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit për kontratat bankare të kredisë konsumatore, që i hap rrugën ekzekutimit të detyrueshëm të tyre, të përllogarisin kamatat ligjore sipas ligjit nr. 48/2014.
Në këtë mënyrë, thekson Gjykata Kushtetuese, dispozita duket se bën të zbatueshme të njëjtat rregulla ligjore për kamatat me ato të titujve ekzekutivë “kredi bankare” për qëllime të veprimtarisë tregtare, ndonëse këto dy kategori kredimarrësish janë të ndryshëm.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.