Krijohet Zyra e Rikuperimit të Aseteve në Shqipëri – Strukturë për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme
Qeveria shqiptare parashikon që këtë vit të bëhet realitet krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve në Shqipëri, e cila do të shërbejë si strukturë e dedikuar për gjurmimin, identifikimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin e aseteve kriminale, si dhe si mekanizëm për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, apo trafiqet e paligjshme.
Kjo iniciativë ka nisur kohë më parë, ku janë bërë mbledhje edhe të grupit të punës në përbërje të të cilit janë përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Me ngritjen e kësaj Zyre të Rikuperimit të Aseteve, përmbushet gjithashtu një prej detyrimeve që ka shteti shqiptar në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe forcimit të zbatimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ngritja e kësaj zyre ka qene objektiv për vitin 2022, por mesa duket është shtryë për këtë vit. Referuar pogramit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2023 përcaktohet dhe ky objektiv, ku thuhet se projektligji që do të diskutohet do të përcaktojë në mënyrë të detajuar mënyrën e funksionimit, kompetencave dhe përgjegjësive të zyrës, si dhe mënyrën e bashkëpunimit me institucionet e tjera, në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.