Kriza e furnizimit me gaz – Europa përgatitet për racionimin e tij në sezonin e dimrit
Në të gjithë Europën po përgatiten për të reduktuar, me dëshirë ose jo, konsumet e energjisë elektrike në pritje të dimrit. Në Francë presidenti Emmanuel Macron iu drejtua qytetarëve për t’iu kërkuar një përpjekje vullnetare por qeveria po përgatit plane për racionimin e gazit. Autoritetet bëjnë apel se nëse të gjithë sillen në mënyrë korrekte me kursim të përgjithshëm, atëherë nuk do të ketë racionime dhe nuk do të ketë as ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. Nëse dimri do të jetë shumë i ftohtë dhe nëse do të kërkohet solidaritet europian, situata do të tejkalohet vetëm nëse kursehet 10% e konsumit.
Macron u shpreh se Franca do të furnizojë me gaz Gjermaninë në këmbim të energjisë elektrike në kuadër të solidaritetit europian pasi Rusia ka ndaluar totalisht fluksin e gazsjellësit Nord Stream. Në këtë situatë Komisioni Europian konfirmoi se do të ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar familjet dhe sipërmarrjet që të përballen me rritjen e cmimeve të energjisë elektrike. Presidentja e komisionit Von der Leyen foli sërish për vendosjen e një kufiri për cmimin e gazit dhe premtoi mbështetje për prodhuesit e energjisë elektrike.
Nga ana e saj Gjermania vendosi mbajtjen në aktivitet të dy centraleve të saj bërthamore deri vitin e ardhshëm. Sipas qeverisë në Berlin, kriza aktuale përbën një sfidë shumë të madhe e cila shtyn vendin që të rishikojë vendimet e tij për të ndaluar impiantet bërthamore.
Ndërsa Brukseli akuzon Rusinë se po përdor gazin si mjet politik për presion, Moska reagon duke pohuar se sanksionet perëndimore janë i vetmi shkak i bllokimit të gazsjellësit Nord Stream, zyrtarisht jashtë funskionit pasi sanksionet nuk bëjnë të mundur mirëmbajtjen e tij
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.