Kriza energjetike rriti inflacionin në Gjermani – Vleresohet 10%, Lindner: Kemi treguar vetëbesim të tepruar në fuqinë tonë ekonomike
Ndërsa Gjermania po përballet me krizën energjetike, norma e inflacionit në vend arriti në 10% në shtator, një rekord i lartë që nga viti 1990, njoftoi Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Një perspektivë ekonomike e vjeshtës e publikuar nga qeveria gjermane pret rritje ekonomike prej 1.4% këtë vit dhe një tkurrje prej 0.4% në vitin 2023, të dyja ulje të ndjeshme nga shifrat e përmendura në raportin e pranverës.
Duke folur në një në Berlin, ministri i Çështjeve Ekonomike, Robert Habeck, vuri në dukje se kriza e rëndë energjetike kërcënon të shndërrohet në një krizë ekonomike dhe sociale dhe theksoi se vendi mund të rrëshqasë në recesion vitin e ardhshëm.
Perspektiva ekonomike e vjeshtës thotë se rishikimi në rënie i atribuohet konfliktit të zgjatur Rusi-Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të energjisë, që kanë nxitur inflacionin dhe frenuar prodhimin industrial çka pritet të ndikojë edhe në konsum. Raporti parashikon gjithashtu inflacion prej 8% këtë vit dhe 7% vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, ministri i Financave tha se lufta kundër inflacionit ishte prioriteti më i madh i qeverisë dhe kërkoi reforma që do ta nxirrnin ekonominë më të madhe të Europës nga një rënie e afërt. Duke folur gjatë takimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Christian Lindner, i bëri thirrje gjithashtu Kinës që të veprojë me drejtësi në tregtinë globale dhe tha se kishte folur me Pekinin për përgjegjësitë e tij për ristrukturimin e borxhit.
“Një parakusht i rëndësishëm për funksionimin e Kornizës së Përbashkët është transparenca në lidhje me kreditorët. Dhe jo çdo vend kreditor është po aq i gatshëm të marrë pjesë në krijimin e transparencës,” tha Lindner.
Sipas tij, ekonomia e Gjermanisë aktualisht paraqitet me keq se disa vende të tjera, sepse ishte veçanërisht e ndjeshme ndaj krizës energjetike të Europës dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, ndërsa kishte treguar vetëbesim të tepruar në fuqinë e saj ekonomike.
“Duhet të pranojmë se ne nuk jemi motori i rritjes në këtë situatë. Përkundrazi, parashikimi i rritjes për Gjermaninë gjithashtu është korrigjuar ndjeshëm në rënie. Krahasuar me vendet e tjera të forta industriale, ne nuk po ecim mirë”, tha ai.
“Inflacioni është kërcënimi më i madh për ekonominë tonë. Gjermania ka mjetet për të trajtuar këtë situatë duke investuar në burimet alternative të energjisë”, shtoi Lindner.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.