Kriza kthen biznesin e mesëm te kreditë për rroga e shpenzime – Raporti, “shkëlqejnë” kompanitë e mëdha, në vështirësi mesataret, dyfishuan huatë
Kriza e ccmimeve dhe rritja e kostove kanë kthyer biznesin e mesëm te kredia për mbulimin e shpenzimeve të ditës, sicc janë pagat e shpenzimet operacionale.
Sipas analizës që i bën Banka e Shqipërisë tendencave të kreditimit në muajin tetor, rezulton se kredia për bizneset e mëdha dhe ato të vogla ka shfaqur ngadalësim, në një kohë që e kundërta ka ndodhur me biznesin e mesëm, i cili ka dyfishuar huamarrjen krahasuar me qershorin e këtij viti, për mbulimin e nevojave për kapital qarkullues, në përgjigje të rritjes së çmimeve dhe kostove.
Kjo ndodh në një moment kur kushtet e kreditimit janë shtrënguar, me bankat që kanë rritur normat e interesit, kanë shtuar kujdesin në kredidhënie, por ç’është më e rëndësishmja kanë ulur tolerancën ndaj rrezikut.
Në shifra konkrete, kredia për biznese është rritur me 12.8% në tremujorin e tretë, duke shënuar përmirësim të mëtejshëm të ritmeve të rritjes. Sipas madhësisë së biznesit, vihet re se ky përmirësim është mbështetur nga rritja e financimit të biznesit të mesëm, i cili u rrit me 29% ose rreth dy herë më shumë se norma e shënuar në fund të muajit qershor.
Ndërkohë, kategoritë e biznesit të vogël dhe të madh kanë shfaqur ngadalësim. Kështu, biznesi i madh shfaqi ngadalësim të normave të rritjes në 10% , ndërsa ai i vogël shënoi një normë rritjeje vjetore pothuajse zero.
Bizneset e mesme kanë marrë më së shumti financim në monedhë të huaj për të mbuluar nevojat e tyre për likuiditete. Kjo është reflektuar në përshpejtimin e normave të rritjes së kredisë në valutë të bizneseve në rreth 19%. Zgjerimi i kredisë për likujditete në këtë tremujor, konkludon Banka e Shqipërisë, ishte dy herë më i lartë se një vit më parë, dhe në nivelet maksimale të serisë së shënuar 10 vite më parë.
Lorenc Rabeta/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.