Kroacia, çmime tavan për energjinë – Çmimi për familjet, maksimumi 0,59 euro/KWh. Në fuqi nga 1 tetori deri 1 mars 2023
Kroacia do të kufizojë çmimet e energjisë elektrike nga 1 tetori deri më 1 mars 2023 për të ndihmuar bizneset dhe familjet të përballen me rritjen e inflacionit dhe krizën energjetike, deklaroi kryeministri Andrej Plenkoviç .
Në korrik, inflacioni me bazë vjetore në Kroaci, e cila pritet të bashkohet me Eurozonën në janar, arriti një rekord prej 12.3%. Sipas Plenkoviç, çmimi i energjisë elektrike për familjet do të arrijë maksimumi 0,59 euro/KWh dhe 0,88 euro/KWh në varësi të konsumit gjashtëmujor.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë pasi vendi vuan ndikimin e krizave globale që rrjedhin nga lufta në Ukrainë, ngrohja globale dhe pandemia COVID-19.
“Kursimi i energjisë forcon elasticitetin tonë dhe na lejon të ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë”, tha Plenkoviç.
Për shkollat, muzetë, spitalet dhe institucionet e tjera publike, çmimi maksimal do të jetë 0,62 euro/KWh. Për kompanitë çmimet do të variojnë nga 1,8 deri në 2,3 euro/KWh.
Qeveria në Zagreb kishte vendosur më parë një çmim tavan për gazin deri më 1 prill. Kroacia importon 45% të nevojave vjetore të energjisë elektrike dhe rreth 77% të gazit natyror që konsumon.
Sipas kryeministrit të vendit, qeveria do të ulë gjithashtu çmimet për ushqimet bazë, duke përfshirë sheqerin, vajin e gatimit, mishin e derrit dhe pulën. Gjithashtu, do të ofrojë ndihmë financiare për pensionistët për të paguar faturat e tyre të energjisë.
Ekonomia e Kroacisë u zgjerua me 7.8% në bazë vjetore tremujorin e dytë dhe qeveria tha se priste të rritet më tej në tremujorin e tretë kryesisht për shkak të turizmit, i cili vlerësohet në rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Vendit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.