Kryeministri Kurti shtyn vendimin për targat për 48 orë pas kërkesës së SHBA-së!

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë edhe për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, që parashihte nisjen e gjobitjes së shoferëve që qarkullojnë me targa ilegale. Këtë shtyrje, kryeministri Kurti e bëri pas një kërkese të bërë në mesnatën e shkuar nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Kurti tha se “është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme”.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se “Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit për shqiptimin e gjobave, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje”. Departamenti amerikan i Shtetit (DAS) u shpreh i zhgënjyer me mosarritjen e marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për çështjen e targave.
“Kurti dhe Vuçiç duhet të bëjnë koncesione për të siguruar që nuk rrezikojnë paqen e arritur me vështirësi në një rajon veçse të brishtë”, tha zëdhënësi i DASH, Ned Price.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Sipas tij, misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent.
“Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, shkroi Stoltenberg në Twitter, pas një bisede që zhvilloi me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.