Kthehen ditët e vështira për biznesin, kredi për paga e likuiditet – Në rënie huatë për investime, në rritje ato për kapital qarkullues e nevoja afatshkurtra
Ndërsa gjatë vitit 2022, veçanërisht biznesi i madh, përjetoi një situatë të mirë likuiditeti duke mos pasur nevojë per kredi konsumatore apo overdrafte, gjërat duket se do të ndryshojnë këtë vit. Bizneset dhe bankat janë shprehur në një sondazh të kryer nga Banka e Shqipërisë se për këtë vit presin rënie e kërkesës për hua për investime dhe rritja e asaj për likuiditete.
Tendenca rënëse e kreditimit për investime dhe rritja e huasë për nevoja afatshkurtëra është shfaqur që në tremujorin e tretë të 2022. Zgjerimi i kredisë për likujditete në këtë tremujor, sipas të dhënave zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, ishte dy herë më i lartë se një vit më parë, dhe në nivelet maksimale të serisë së shënuar 10 vite më parë. Sipas analizës që i bëri Banka e Shqipërisë tendencave të kreditimit në muajin tetor të vitit të shkuar, rezultoi se kredia për bizneset e mëdha dhe ato të vogla ka shfaqur ngadalësim, në një kohë që e kundërta ka ndodhur me biznesin e mesëm, i cili ka dyfishuar huamarrjen krahasuar me qershorin e këtij viti, kryesisht për mbulimin e nevojave për kapital qarkullues, në përgjigje të rritjes së çmimeve dhe kostove.
Tendenca pritet e ngjashme edhe në tremujorin e parë të vitit që sapo ka nisur. Në vrojtimin për kativitetin kreditues Banka e Shqipërisë konludon se kërkesa për kredi e bizneseve pritet të bjerë në tremujorin e parë të vitit 2023, kryesisht në sajë të tkurrjes së pritur të kredisë për qëllime investimi. Kredia në mbulimin e nevojave për likuiditet pritet të jetë e lartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2023. Në terma të madhësisë, biznesi i vogël e i mesëm pritet të shfaqë rënie të kërkesës për kredi, ndërkohë që bizneset e mëdha priten të mos e ndryshojnë kërkesën për kredi.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.