Ku ta karikoni makinën elektrike? – Islanda dhe Portugalia ofrojnë shërbimin më të lirë në Evropë
Kristi Ceta/SCAN
Të dhënat nga Observatori Evropian i Karburanteve Alternative (EAFO) zbulojnë se Islanda dhe Portugalia janë ndër vendet më të lira në Evropë për të karikuar makinën elektrike, ndërsa Norvegjia dhe Sllovenia janë më të kushtueshmet.
Franca dhe Gjermania, dy nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit, ishin në mesin e një numri vendesh, duke përfshirë Kroacinë, Italinë, Danimarkën dhe Suedinë, me normat publike të tarifimit rreth mesatares evropiane.
Për të standardizuar kërkimin, llogaritjet u bazuan në një seancë tipike rimbushjeje të shpejtë për një Tesla Model 3, makina elektrike e dytë më e njohur në Evropë, pas Tesla Model Y.
Islanda u rendit si vendi më i lirë në Evropë për të ngarkuar Tesla Model Y, me një kosto prej 2,89 € për 100 km, pak përpara Portugalisë, ku shoferët duhet të paguajnë 3,18 € për të njëjtën distancë. Finlanda u rendit e treta, me shoferët që paguanin 4,63 € për karikimin e shpejtë. Edhe pse një treg i vogël, Islanda është shfaqur si një adoptues i fortë i automjeteve elektrike, falë burimeve të bollshme të energjisë së rinovueshme, që kanë ndihmuar në uljen e çmimit të tarifimit të këtyre makinave.
Norvegjia ishte vendi më i shtrenjtë në Evropë deri tani, me tarifën për të përshkuar 100 km rreth gjashtë herë më shumë se në Islandë, me 18,93 €, një diferencë çmimi prej 16,04 €. Sllovenia ishte vendi i dytë më i shtrenjtë, me 17,02 € për të njëjtin numër kilometrash.
Çmimet varionin në të gjithë Evropën Jugore, me Spanjën vendin më të lirë pas Portugalisë, me 7,11 €. Ndërsa Bullgaria (7,34 €), Italia (9,12 €), Greqia (9,83 €), Malta (9,83 €) dhe Qiproja (9,83 €) shin të gjitha brenda mesatares rajonale.
Gjermania dhe Franca ishin midis vendeve të Evropës Veriore dhe Qendrore, tarifat e të cilave shkonin rreth 7 deri në 10 euro. Estonia dhe Gjermania ishin vendet më të kushtueshme brenda këtij grupi, me tarifa prej 9,99 € dhe 8,93 € për 100 km, të ndjekura nga Danimarka me 8,81 €.
Ekonomistët e energjisë besojnë se pabarazitë në tarifimin e kostove në të gjithë Evropën ndodhin për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë burimin e energjisë elektrike, taksat dhe politikat e qeverive.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.