Kundërshtimet për garat tenderuese – Regjistrohen 449 ankesa në KPP, mbi 62% kontestojnë vlerësimin e ofertave
Hartimi i kritereve dhe dokumenteve të tenderit apo kontestimet në vlerësimin e ofertave kanë detyruar 449 subjekte të ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Të dhënat i përkasin 7-mujorit të parë të këtij vitit, ku sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN numri i ankesave gjatë fazës së vlerësimit të ofertave dominon, kundrejt atyre të depozituara për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit.
Përgjatë periudhës janar – korrik, 62.4% e ankesave janë depozituar pikërisht pët të kundërshtuar vlerësimin për shpalljen e kompanisë fituese., ndërkohë që pjesa tjetër prej 37.6% janë ankesa për dokumentet standarde të tenderit. Më konkretisht, përgjatë 7-mujorit janë depozituar 169 ankesa për dokumentet standarde të tenderit dhe 280 ankesa për vlerësimin e ofertave. Ndërkaq, referuar vendimmarrjeve të Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se gati gjysma e tyre janë pranuar.
Kjo do të thotë se, ky dikaster i ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vendosjes së kritereve për të marrë pjesë apo për t’u kualifikuar në një tender për punë, mallra apo shërbime, duke rrëzuar institucionet shtetërore, që shpesh herë janë kritikuar për vendosjen e kritereve selektive, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve të paracaktuar. Ndërkaq, nuk mungojnë as rastet kur Komisioni i Prokurimit Publik iu ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vlerësimit të ofertave, duke pranuar ankesat e tyre.
Kjo problematikë u evidentua edhe gjatë vitit 2021, ku sipas KPP-së institucionet shtetërore shpallën fitues në tenderë kompani me oferta ekonomike më të larta, duke rrezikuar që nga buxheti i shtetit të paguheshin miliona lekë më tepër për të njëjtën punë, mall apo shërbim.
Po ashtu, edhe Agjencia e Prokurimit Publik konstatoi probleme në hartmin dhe argumentimin e dokumenteve të tenderit, si dhe shpallje fituesish në gara tenderuese me vetëm 1 kompani pjesëmarrëse, gjatë verifikimit të zbatimit të ligjshëmrisë për procedura prokurimi, të zhvilluara gjatë viteve 2020-2021, që u bë publik pak javë më parë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.