Kursimet, më leverdi depozitat apo bonot e thesarit? – Bankat shtojnë interesat për kursimet, rritje dhe letrat me vlerë. Por, qeveria do ulë borxhin
Ndërsa prej vitesh qytetarët shqiptarë kishin humbur interesin ndaj përfitimeve që ofrojnë interesat e depozitave apo letrave me vlerë të qeverisë, raportet kanë ndryshuar muajt e fundit. Për shkak të rritjes së normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë, ashtu dhe si dhe inflacionit, individët kanë shanse shumë më të mira për të përfituar diçka nga kursimet e tyre. Rritje kanë shënuar si normat e interesit që ofrojnë bankat për të tërhequr depozita të reja, ashtu dhe letrat me vlerë të qeverisë, të cilat kanë shënuar rritje të dukshme muajt e fundit, veçanërisht nga vëmendja e ulët që vijojnë të tregojnë prej kohësh bankat për to.
Por cilat janë mundësitë më të mira për të investuar kursimet individuale, në letra me vlerë të qeverisë, apo depozita me afat në bankat tregtare?
Banka e Shqipërisë raporton se normat fitimit të letrave me vlerë të qeverisë kanë ndjekur ecuri rritëse që prej muajit mars, të diktuar nga rritjet e normës bazë dhe pritjet e tregut për normalizim të shpejtë të politikës monetare në përgjigje të inflacionit të lartë.
Në ankandin e fundit të muajit korrik, yield-i i bonove me afat maturimi 12-mujor shënoi 2.84%, duke regjistruar një rritje prej 0.8 pikë përqindje nga muaji prill. Rritje të ngjashme kanë shënuar edhe yield-et e obligacioneve 5 dhe 7-vjeçare, ndërkohë që yield-et në maturitet e tjera qëndrojnë 0.3-0.5 pikë përqindje më lart se në muajin prill. Pritet që letrat me vlerë të qeverisë të vijojnë rritje të mëtejshme, për shkak të rritjes së normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që bankat tregtare të vijojnë të tregojnë pak interes për to.
Lajmi i keq në këtë treg vjen nga rënia e kërkesës për borxh të Qeverisë, e cila pret ta mbyllë vitin me një total prej rreth 400 milionë dollarësh shtesë në zërin e të ardhurave për shkak të rritjes së çmimeve.
Ne terma vjetore, për vitin 2022 vlera totale e titujve qeveritare qe maturohen është rreth 328 miliardë lekë.
Ndërkohe, qe vlera qe synohet te emetohet, parashikohet te jete rreth 361 miliardë leke, me një financim neto prej 33 miliardë lekësh. Sa i takon deficitit buxhetor, Qeveria në Aktin e fundit Normativ për buxhetin ka propozuar një reduktim të tavanit me minus 17 miliardë leke. Në terma praktikë, kjo parashikon Reduktimin e huamarrjes se brendshme dhe deficitit buxhetor ne masën 17 miliardë lekë, afërisht 170 milionë dollarë.
Kjo ulje e borxhit të brendshëm, pritet të ulë presionin për rritjen e mëtejshme të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, të cilat gjithsesi do të vijojnë të ofrojnë norma të kënaqshme fitimesh për individët, ndërkohë që bankat pritet të vijojnë të mbeten indiferente ndaj tyre. Kjo mund të reflektohet në ankandet e ardhshme të letrave me vlerë të Qeverisë. Për muajin shtator Banka e Shqipërisë ka bërë publike 8 ankande bonosh e obligacionesh, që gjithsesi pritet të ofrojnë norma të kënaqshme interesash për segmentin e individëve.
Sa i përket depozitave, Bankat kanë filluar të ofrojnë norma më të larta për depozitat në lekë, pas rritjes së normës bazë të interesit. Por, në kushtet e një baze të qëndrueshme dhe në rritje të depozitave, përcjellja e sinjaleve të politikës monetare po ndodh gradualisht. Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë rezultoi 0.90% në tremujorin e dytë të vitit, nga 0.64% një tremujor më parë dhe 0.70% në vitin 2021. Rritja e interesave ishte më e dukshme në segmentin e depozitave me afat maturimi deri në një vit, ndërkohë që ndryshimi në interesin e depozitave me afat më të gjatë maturimi ka qenë më i vogël.
Për depozitat me afat maturimi më shumë se dy vjet norma mesatare e interesit rezulton 2.51% në fund të korrikut me një rënie të lehtë krahasuar me tre muajt e mëparshëm kur norma mesatare ishte 2.52%, në një kohë që pritshmëritë janë për rritje të mëtejshme.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.