Kush do të jetë trilioneri i parë i planetit? – Elon Musk, kandidati kryesor për të arritur shifrën rekord
Kristi Ceta/SCAN
Nëse vazhdon të bëhet i pasur me të njëjtin ritëm, Elon Musk do të bëhet trilioneri i parë në botë në vitin 2027. Kjo është sipas hulumtimit të Informa Connect Academy, e cila zbuloi se pasuria e CEO-s së Tesla dhe SpaceX po rritet me një normë mesatare vjetore 110%. Aktualisht, Musk është njeriu më i pasur në botë, me 251 miliardë dollarë pasuri.
Sipas raportit të Trillion Dollar Club 2024, personi i dytë që parashikohet të fitojë titullin e trilionerit do të jetë manjati indian Gautam Adani. Themeluesi i grupit të larmishëm Adani do të jetë një trilioner deri në vitin 2028 nëse norma vjetore e rritjes së pasurisë së tij mbetet në 123%.
Jensen Huang, CEO i kompanisë teknologjike Nvidia dhe Prajogo Pangestu, manjati indonezian i energjisë dhe minierave, mund të bëhen gjithashtu trilionerë deri në vitin 2028 nëse vazhdojnë të pasurohen me të njëjtin ritëm.
Kreu i gjigantit luksoz LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton, Bernard Arnault, i cili aktualisht është njeriu i tretë më i pasur në botë me një pasuri prej rreth 200 miliardë dollarësh, do të bëhet një trilioner në vitin 2030, në të njëjtin vit me Mark Zuckerberg, CEO-n e Meta-s.
Për sa u përket kompanive, tashmë disa prej tyre kanë arritur të vlerësohen mbi 1 trilion dollarë. Berkshire Hathaway arriti këtë moment historik në fund të gushtit, vetëm disa ditë para se arkitekti i saj Warren Buffett të festonte ditëlindjen e 94-t. Nvidia i është bashkuar klubit prej 1 trilion dollarësh në maj 2023 dhe në qershor arriti në 3 trilionë dollarë, duke ndjekur Microsoft dhe duke lënë pas Apple për t’u bërë kompania e dytë më e vlefshme në botë.
Por pyetja se kush mund të jetë trilioneri i parë i planetit ka magjepsur publikun që kur bota pati miliarderin e parë në vitin 1916. Ky ishte John D. Rockefeller, themeluesi i gjigantit të naftës Standard Oil.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.